Kandidati i LDK-së për deputet, Ekrem Hyseni ka folur për Gazeta Blic dhe për zgjedhjen e Trump president të SHBA-ve.
Ai thotë se marrëdhëniet me SHBA-të nuk janë të mira aktualisht dhe se LDK do të punojë që t’i përmirësojë ato.
“LDK gjithmonë e ka dëshmuar se është parti institucionale dhe respekton çdo vendim gjykate, nuk merret me gjykatat dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka rrëzuar presidentë dhe kryeministra të LDK-së, këto vendim i respektojmë pa asnjë diskutim. Sot fitorja e presidentit Trump si LDK nuk ndryshon qasjen ndaj politikave amerikane”, thotë ai.
Hyseni kujton njohjen nga Izraeli dhe marrëveshjen e Uashingtonit, teksa flet dhe për prioritetet e LDK-së për dialogun me Serbinë.
“Vlen të theksohet se njohja nga Izraeli ka qenë moment shumë i mirë dhe ka qenë vulë e shtetësisë së Kosovës dhe mënyrën se si ka ndodhur në zyrën ovale të presidentit Trump. Unë e shoh si dëm të madh raportin tonë në nivelin e bashkëpunimit sot që e kemi dhe normalisht që synimi ynë do të jetë përmirësimi i raporteve me qeverinë amerikane dhe njëkohësisht marrëveshja finale është target. Ne synojmë ta përfundojmë marrëveshjen finale me Serbinë, e kemi prioritet që në qendër të jetë njohja reciproke dhe më kryesorja është që kjo marrëveshje ta ketë tërësinë territoriale”, shprehet ai.
Ndërsa, ai ka folur dhe për mundësinë e një koalicioni me VV-në, teksa thotë se LDK nuk hyn në pushtet pa kryeministrin.
“LDK do të jetë në qeveri nëse LDK do ta ketë kryeministrin. Me partinë në pushtet më shumë pika na ndajnë se që na bashkojnë. Si LDK në koalicion pa kryeministrin nuk do të jemi”, deklaron Ekrem Hyseni./Gazeta Blic/