Ekrem Hyseni, kandidat për deputet i LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për shëndetësinë e punën e Qeverisë Kurti në këtë fushë.
Hyseni, i cili është doktor me profesion, ka kritikuar Qeverinë, derisa ka thënë se ka pasur veprime të mangëta dhe joserioze.
“Meqenëse shëndetësia në përgjithësi është sektor me rëndësi sepse shumë nga njerëzit që sot e lënë Kosovën ndjejnë pasiguri sociale dhe në mënyrë të veçantë sa i përket sistemit shëndetësor. Kjo duhet të jetë një nga prioritetet e secilës qeveri. Me qeverisjen Kurti kjo s’ka qenë. Dihet që ai ka marrë një numër të madh të votave nga diaspora dhe pikërisht nga diaspora ka zgjedhur kuadër shumë profesional që të jetë ministër i shëndetësisë dhe pas një kohe ky ministër ka dhënë dorëheqje sepse nuk ka gjetur as përkrahje dhe nuk e ka gjetur as ambientin për një punë që ai të zhvillojë vizionin e tij për zhvillim e shoqërisë në Kosovë. Të gjitha veprimet që kanë qenë, kanë qenë të mangëta në favor të asaj që të zhvillohet si sektor i rëndësishëm, kanë qenë joserioze, joprofesionale, pa një vizion të qartë që në thelb të ketë ndryshime rrënjësore dhe mund të kthehemi edhe te premtimet si sigurimet shëndetësore, të cilat dihet se nuk ka asnjë zhvillim në atë drejtim, njëkohësisht investimet që janë bërë kanë qenë më shumë improvizime apo ndryshime kozmetike që nuk kanë dhënë asnjë efekt. Mendoj që këto janë disa nga arsyet që nuk kemi parë ndryshim përkundër asaj që në këto 4 vjet ka pasur mungesa qoftë në ilaçe, qoftë në material harxhues”, u shpreh ai.
Sipas Hysenit, gjendja në shëndetësi është dështim i vet Kurtit dhe ai s’ka pasur vizion të qartë e as njerëz të duhur për ta çuar përpara këtë vizion.
“Mendoj se nuk ka pasur një qasje serioze dhe e dyta, si koordinator edhe vet kryeministri Kurti është marrë vet me këtë sektor, pra ky është dështim direkt i kryeministrit Kurti, ministrit Vitia, ku investimet kapitale kanë qenë në nivel shumë të ulët. Kjo ka ndodhur sepse nuk ka pasur një vizion të qartë, nuk ka pasur njerëz që e çojnë këtë vizion përpara dhe janë marrë kryesisht me improvizime dhe kozmetikë që nuk japin efekt. Vlen të potencohet një fakt me rëndësi, premtim elektoral i kryeministrit Kurti dhe kryetarit aktual të Podujevës ka qenë ndërtimi i spitalit të Podujevës. Sot Podujeva është pa spital, kanë kaluar katër vite, e kanë lënë këtë vend pa spital duke e lënë me një ambulantë specialistike të cilën as këtë s’kanë mundur ta funksionalizojnë”, theksoi ai për Gazeta Blic.
Hyseni përmend dhe nivelin shumë të ulët të investimeve kapitale.
“Investimet kapitale kanë qenë në nivel shumë të ulët dhe ato që kanë qenë kanë qenë me probleme, kontrata renovimesh me çmime më të larta se çmimet e tregut, mendoj se kjo ka qenë dhe një defekt i madh dhe qasja serioze ndaj problemeve, ku Fondi Shëndetësor si problemi më i madh”, vlerëson kandidati për deputet i LDK-së.
Po ashtu, Ekrem Hyseni ka folur dhe për ikjen e punëtorëve shëndetësorë jashtë vendit.
“Ikja e punëtorëve, FSK, Policia dhe në mënyrë të veçantë shëndetësia është dukuri në rritje, me këtë qeverisje nuk është parë një diçka që e kemi një reduktim të numrit të njerëzve që kërkojnë t’i lënë institucionet por vetëm rritje. Kur flasim për shëndetësi kjo është bërë dukuri. Kemi dy lloje ikjesh, nga institucionet publike në ato private dhe ikjet jashtë Kosovës, kryesisht destinacion Gjermaninë dhe kjo ndodh për shkak të një page jo të dinjitetshme, pritshmëritë për rritje të pagës kanë qenë shumë të mëdha dhe qeveria s’ka arritur që t’ua ofrojë mirëqenien që të kenë një arsye për të qëndruar”, deklaroi ai.
Tutje, ai ka potencuar se LDK ka program të qartë dhe guxim e vizion për të bërë ndryshime rrënjësore në shëndetësi.
“Si LDK e kemi një program të qartë, e kemi dhe guximin e vizionin për të bërë ndryshime rrënjësore dhe një nga ato do të jetë ndërtimi i një Qendre Klinike Universitare të re, një qasje shumë serioze në raport të funksionalizimit të Fondit Shëndetësor dhe ky është një premtimet që është i matshëm dhe do të ndodhë në qeverisjen tonë. Këtu duhet vetëm një qasje serioze dhe vendime që janë të guximshme. Po ashtu, një sektor tepër i rëndësishëm është edhe Sistemi Informativ Shëndetësor, i cili asnjëherë nuk e ka pasur vëmendjen e duhur dhe nuk ka pasur qasje të menduarit qartë se si duhet të realizohet dhe do të jetë prioritet. Njëkohësisht te kategoritë siç janë pensionistët dhe të sëmurët kronik kemi një program, të kalkuluar mirë dhe barnat për këta të fundit do të jenë të rimbursuara nga shteti”, shprehet Hyseni.
Kandidati për deputet thotë se e sheh veten si kuadër të mund të japë kontributin e tij.
“Unë e shoh veten si kuadër aty mund ta jap kontributin tim te shërbimi ndaj njerëzve dhe tek ofrimi i ndihmës aty ku kanë nevojë që e kemi specialitet dhe e bëjmë me shumë dëshirë, gjithçka që e kemi profesionalizëm dhe ka nevojë do ta ofrojmë në mënyrë njerëzore”, deklaron Ekrem Hyseni./Gazeta Blic/