Lajme

Ekskluzive / KQZ mblidhet nesër, pritet të vendos për hapjen e kutive postare që lehtësojnë votimin e diasporës

11/13/2024 18:03
nga:G C

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet të enjten për të vendosur për propozimin për hapjen e kutive postare jashtë Kosovës.

“Propozim për hapjen e kutive postare jashtë Kosovës” – është pika e rendit të ditës për mbledhjen e të enjtes.

Hapja e kutive postare do të mundësojë votimin e votuesve jashtë Kosovës që deri më 26 dhjetor do të regjistrohen për të votuar përmes postës duke e dërguar fletëvotimin në ndonjë nga fahet postare që do të hapen në shtete të ndryshme të botës.

Fahu postal jashtë Kosovës do ta ulte jashtë mase koston e bashkëatdhetarëve, pasi që dërgimi i fletëvotimit brenda shtetit ku jeton votuesi ka një kosto minimale.

Sipas ligjit, kutitë postare jashtë Kosovës hapen nga KQZ me ndihmën e përfaqësive diplomatike.

Gazeta Blic mëson se ky është hapi i radhës që kompleton procesin e votimit jashtë Kosovës.

Aktualisht, sipas KQZ-së është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës e cila do të përfundojë më 26 dhjetor.

Në fillim të periudhës së regjistrimit KQZ kishte caktuar përfaqësitë diplomatike në të cilat do të votohet me 8 shkurt 2025.

Votimi në përfaqësi diplomatike është vetëm njëra nga tri mënyrat e votimit. Dy të tjerat janë votimi përmes postës duke dërguar fletëvotimin në adresën e fahut postar jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin në adresë të fahur postar të KQZ-së në Kosovë.