Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar lidhur me raportimet se ka pasur një rrahje brenda Ministrisë së Kulturës. Ai ka thënë se është duke u marrë personalisht me rastin dhe po mblidhen informatat dhe faktet përkatëse.
Para gazetarëve, Çeku theksoi se janë duke u verifikuar detajet e ngjarjes.
“Informatat jemi duke i marrë, faktet duke i kontrollu, besoj edhe Policia po e kryen pjesën e saj që është shumë e rëndësishme në këto raste,” ka thënë ai.
Çeku ka bërë të qartë se dhuna, në çdo formë, është e papranueshme dhe e dënueshme.
“Dhuna ose sulmi fizik është i papranueshëm, i patolerueshëm dhe absolutisht i dënueshëm,” ka shtuar ai.
Sot në orët e paradites një përleshje fizike është raportuar të ketë ndodhur brenda zyrave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Zyrtari i kësaj ministrie, Miftar Latifi, ka shkuar në Policinë e Kosovës për të denoncuar sekretarin e Përgjithshëm, Xheladin Krasniqi, për sulm fizik, duke pretenduar se është kapur për fyti prej tij.