MCA Kosova ka lansuar Komponentën e Granteve të “Energji për Barazi”, që synon rritjen e punësimit të grave, mbajtjen e tyre në punë dhe zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë.
Ndërmarrjet aktive Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) në sektorin e energjisë dhe sektorë të ngjashëm, si dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC-të) që avokojnë për përfshirjen e grave dhe pakicave në sektorin e energjisë, inkurajohen të aplikojnë për grante.
Përmes kësaj komponente, grantet do të shpërndahen në shumat prej 26,000 EUR te ndërmarrjet mikro dhe të vogla (3-49 të punësuar), dhe 50,000 EUR te ndërmarrjet e mesme (50-199 të punësuar) në sektorin e energjisë. Organizatat e shoqërisë civile që avokojnë dhe promovojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale mund të aplikojnë për grante deri në 35,000 EUR. Ndërsa, së shpejti do të jenë në dispozicion edhe grantet për ndërmarrjet e mëdha (mbi 200 të punësuar).
Këto grante do t’u mundësojnë NMVM-ve në sektorin e energjisë dhe OSHC-ve të krijojnë mjedise miqësore të punës për gratë. Këtë mbështetje, MCA Kosova do ta realizojë, duke përkrahur masat që përfshijnë Politika, Projekte dhe Iniciativa.
Politikat përfshijnë avancimin e barazisë gjinore në fuqinë punëtore në sektorin e energjisë, si: politika gjinore / rekrutim me mundësi të barabarta / pagë e barabartë, politika kundër ngacmimit, orar fleksibil dhe politika të punës nga shtëpia, politika që adresojnë përgjegjësitë për kujdesin (përfshirë pushimin prindëror, kujdesin për fëmijët, kujdesin për të moshuarit) dhe të ngjashme.
Projektet, përfshijnë zhvillimin e projekteve si dhomat e gjidhënies, hapësirat për kujdes ditor ose mbështetje monetare për kujdesin për fëmijët, softuerë dhe platforma për mësim nga distanca, pajisje të IT-së për të mundësuar punën nga shtëpia (laptopë dhe të ngjashme) ose të tjera.
Ndërsa, iniciativat do të mbështesin punën praktike (puna praktike e paguar për së paku 6 muaj) dhe programet e mentorimit, trajnimet & kualifikimet, aktivitetet avokuese, fushatat ndërgjegjësuese lidhur me gjithëpërfshirjen dhe ndjeshmërinë gjinore, programet e lidershipit dhe më shumë.
Këto masa janë vetëm pika orientuese, ndërsa entitetet me të drejtë aplikimi, mund të propozojnë ide të ndryshme për sigurimin e një fuqie punëtore gjithëpërfshirëse në sektorin e energjisë dhe sektorët e ngjashëm.
MCA Kosova do të organizojë punëtori informuese rreth procesit të aplikimit për grante. Regjistrohuni këtu për të marrë pjesë në punëtoritë (online ose me prani fizike), që do të mbahen me 13 dhe 14 nëntor. Procesi i aplikimit i ka dy faza: (1) përpilimi i Koncept Dokumentit dhe (2) Procedurat e Aplikimit të Plotë për kandidatët e listës së ngushtë. Afati për aplikim / dorëzim të Koncept Dokumentit është data 29 nëntor, përmes email-it: [email protected].
“Energji për Barazi” mbështet zhvillimin e Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës. Duke punuar me kompanitë e sektorit të energjisë dhe sektorët e ngjashëm si dhe me OSHC-të, synohet përfaqësimi i grave në fuqinë punëtore. Si pjesë e Projektit për Përshpejtimin e Tranzicionit të Drejtë dhe të Barabartë, i njohur si Projekti JETA, qëllimi përfundimtar është të sigurohet që deri në vitin 2031, së paku 25% të punonjësve në këtë sektor të jenë gra.
Projekti JETA është një nga tre projektet e mbuluara nga marrëveshja e programit Compact, në vlerë prej $236.7 milionë, e nënshkruar me 28 korrik, 2022, midis Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjecarit (MCC). Programi MCC-Kompakt Kosova është investimi më i madh dhe më inovativ në dekadat e fundit, i cili do shërbejë si gurthemel i tranzicionit të Kosovës në energjinë e gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë e energjisë në vend dhe transformimin socio-ekonomik.
Për më tepër informata lidhur me “Energji për Barazi,” dhe për tu regjistruar në sesionet informuese, ju lutemi vizitoni www.energyforequality.com.