Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka kritikuar raportimet për mungesë ushqimi në FSK, duke i quajtur ato të pavërteta dhe të nxitura nga shërbime dashakeqe.
Maqedonci ka komentuar raportimet e mediave ditëve të kaluara për mungesë të ushqimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Maqedonci i ka cilësuar këto lajme si “të pavërteta” dhe të nxitura nga forca të jashtme dhe të brendshme që, sipas tij, synojnë të krijojnë pasiguri dhe të destabilizojnë sigurinë e vendit.
“Lajmet më të vërtetët kanë qenë një gjë e pahijshme. Veçanërisht kur kemi parasysh faktin se për asnjë moment, asnjë ushtar i FSK-së nuk ka mbetur pa bukë, ashtu siç është prezantuar shpesh në media. Dhe po vazhdon të prezantohet herë pas here. Mendoj që ka qenë më shumë një histeri kolektive, që ka kapluar jo vetëm mediat por edhe njerëzit tjerë. Kjo ka mundur të shtyhet edhe nga faktorë të brendshëm dhe jashtëm, që jo detyrimisht po ia duan të mirën vendin tonë dhe FSK-së”, ka thënë Maqedonci.
Ministri sugjeroi se disa prej këtyre raportimeve mund të jenë nxitur nga individë që mbajnë lidhje me shërbime të huaja dhe kanë synim të cenojnë interesat e Kosovës.
“Brenda vendit mund të kemi ende faktorë që kanë lidhjet e tyre jashtë Kosovës. Më saktësisht kemi pasur raste kur janë identifikuar edhe persona të cilët vazhdojnë të punojnë edhe për shërbime të huaja. Dhe ato dashakeqe për vendin tonë. Është ushqyer si lajm nga shërbimet dashakeqëse, është rritur, formësuar në mënyrë të krijojë pasiguri. Pa u marrë parasysh deklaratat zyrtare, të cilat janë nga i gjithë stafi i ministrisë”, ka shtuar ministri Maqedonci.
Maqedonci u ka deklarua edhe për procesin e emërimin e Gafurr Dugollit si sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai tha se ky proces është ndjekur sipas procedurave të rregullta, duke u bazuar në rezultatet e kandidatëve dhe jo në lidhjet familjare.
Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugollit, u emërua në këtë pozitë pasi përmbushi kriteret e kërkuara, sipas Maqedoncit.
Ministria ka shtuar se përzgjedhja është bërë duke u fokusuar në procesin e konkursit, jo në mbiemrat e kandidatëve.
“Unë besoj që do të vazhdonte njëjtë. Nuk ka qenë çështje e emrit e as mbiemrit. Edhe kur është përzgjedhur edhe kur është pyetur. Unë i shoh proceset nuk i shoh emrat. Normalist secili mund të jetë vëlla i dikujt. Dhe secili mund të jetë në një pozitë në institucione. Gafurri ka qenë pjese e TMK-së edhe Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka qenë e ndërlidhur asgjë me emrin e Enver Dugollit. Vlerësojë që nuk mund të ia mohoj vëllau, vëllaut aplikim apo konkurrojë në një pozitë”, ka thënë Maqedonci në Debat Plus.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e kishte konfirmuar për Dukagjinin se ia kishte tërhequr vërejtjen Ministrisë së Mbrojtjes se Gafurr Dugolli u emërua nga Qeveria si Sekretar pa përfunduar afati i ankesave në KPMSHCK.
Maqedonci ka treguar për hapat që ndërmori për të ruajtur ligjshmërinë e procesit, duke kërkuar pezullimin e emërimit derisa të sqarohej çështja e ankesave, por se nuk mori përgjigje nga Qeveria.
“Kam pranuar një raport (nga burimet njerëzore të MM) që ka sugjeruar që është një proces i rregull, që njëri nga kandidatët, më saktësisht sekretari Dugolli ka marrë piktë e mjaftueshme për të qenë sekretar i Përgjithshëm i MM. Më pas, më 18 shtator nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, kam pranuar një njoftim, ku jam njoftuar se janë edhe dy ankesa në proces që nuk janë shqyrtuar. Dhe menjëherë kam marrë masa për të ruajtur ligjshmërinë e procesit. Dhe kam dërguar një kërkesë për anulimin e vendimit për emërimin e Gafurr Dugollit. Kam kërkuar shkarkimin duke iu referuar njoftimit që kam marr nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës. Më pas më datën 23 kemi pranuar një njoftim nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, që dy ankesat kanë qenë të pasafatshme, pra i ka hedhur poshtë ankesat dhe si i tillë procesi ka vazhduar të mbete i tillë siç ka qenë”, ka shtuar Maqedonci.