Sulmuesi kosovar, Ermal Krasniqi pritet të jetë mungesa e kombëtares së Kosovës në ndeshjet e muajit nëntor.
Kosova në këtë muaj luan dy takimet e fundit kualifikuese të Ligës së Kombeve, ndaj Rumanisë me 15 nëntor si mysafir dhe në shtëpi me 18 nëntor ndaj Lituanisë.
Siç mëson GazetaBlic Sport, Ermal Krasniqi nuk pritet të jetë gati për ndeshjet e muajit nëntor, pas lëndimit që pësoi me ekipin e tij në ndeshjen ndaj Banik Ostrava para pesë ditësh.
Momentalisht, Krasniqi nuk po stërvit me ekipin dhe mungoi edhe mbrëmë në ndeshjen ndaj Brest në Ligën e Kampionëve. Lëndimi i tij pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth 20 ditë.
Siç qëndron situata, Krasniqi nuk do jetë gati për dy ndeshjet e Kosovës, gjithmonë nëse nuk ndodhë ndonjë “mrekulli” në përshpejtimin e rikuperimit të tij.
/GazetaBlic Sport