Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar 632 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, në Gjilan.
Substanca është gjetur gjatë kontrollit në shtëpinë e një personi, i cili dyshohet se ka bërë shitblerjen e substancave narkotike në qytetin e Gjilanit.
“Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personit të dyshuar, në cilësi të provave materiale, janë gjetur dhe janë sekuestruar rreth 632 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, të ndarë për shitje, si dhe një peshore për matjen e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në konsultim me prokurorin e shtetit nga prokuroria kompetente, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa rasti i cilësuar ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.