Sporti

Fitore në sekondat e fundit, 17 vjeçaret e Kombëtares mposhtin Izraelin

11/06/2024 15:12
nga:Lorik J

Me fare pak tifozë në shkallët e stadiumit, por me shumë zemër dhe luftë në fushë, kombëtarja e vajzave U-17 arriti një fitore në sekondat e fundit të ndeshjes përballë një kundërshtari të fortë si Izraeli, ndeshje që përfundoi me rezultatin 2 me 1 për Shqipërinë.

Dje në stadiumin “Elbasan Arena” në mesditë, në orën 14:00 u zhvillua ndeshja e vlefshme për raundin e parë të eliminatoreve të europianit 2025 për vajza. Një turnament që po zhvillohet në Shqipëri, një ndër ato dhjetëra projekte të tilla organizative që UEFA vazhdon ia beson Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në shkallët e stadiumit siç u pa ishin prindërit e vajzave futbolliste dhe ndonjë shok e shoqe e klasës. Por gjatë ’90 minutave lojë, në shkallët e tribunës kishte vetëm mbështetje e ulërima: Shqipëri, Shqipëri, për tu dhënë zemër vajzave kuqezi.

Këto të fundit, vinin në këtë ndeshje pas një humbjeje 3 me 1 me kombëtaren U-17 të Kosovës. Por për Cyme Lulajn, trajneren e re që është vendosur në krye të 17 vjecareve, disfata ishte një apel për t’u organizuar më mirë.

Ndaj, golin e parë pas një gabimi të mbrojtjes izraelite dhe të portieres së tyre, e realizuan gocat kuqezi në fraksionin e parë të ndeshjes. Në minutën e ’90 pas shumë përpjekjesh, izraelitet mposhtën portën e vajzave shqiptare. 6 minutat shtesë të ndeshjes ishin edhe më emocionuese, pasi Izraeli ndryshoi thuajse pjesën kryesore të skuadrës e pak ishte bërë për rifreskim te kombëtarja.

E pabesueshme sesi vajzat arritën të gjejnë forcat e fundit pas asaj lodhjeje raskapitëse, për të goditur një shtyllë nga jashtë zone, që për shkak të mosmbajtjes nga ana e portieres izraelite siç duhet u konkretizua në gol nga shqipëria në minutën e ‘96.

E pas kësaj nuk kishte më lojë, por vetëm festë.

Së pari nga vetë vajzat që nuk u larguan nga fusha për një kohë të gjatë; nga prindërit e tyre në tribuna që u conin vecse flamuj dhe brohoritje për ti mbështetur dhe në fund në dhomat e zhveshjes, ku festa vazhdoi pafund me lot gezimi për një sukses në limitet e kohës, por me një frymë dhe shpirt të ri, pra nuk dorëzohemi derisa bilbili në gojën e albitrit të fërshellejë.

Pas shumë viteve, më shumë se katër të tillë, për kombëtaren U-17 kjo ishte fitorja e parë. Ndërkohë që Shqipëria e mbylli në vendin e dytë me 3 pikë, pas kosovës me 4 pikë, dhe Izraeli në vend tëfundit me 1 pikë pasi barazoi në ndeshjen me Kosovën.

Duhet evidentuar se në këtë ndeshje më shumë kishte polici, agjentë security por edhe agjentë izraelitë të ardhur nga jashtë, sesa tifozë. Vajzat izraelite u ruajtën me të njëjtin seriozitet dhe u shoqëruan me makina policie deri tek kompleksi Tropikal ku edhe kanë qëndruar përgjatë 1 jave. Ndërkohë që vajzat nga Kosova dhe ato të kombëtares Shqiptare shijuan kompleksin dhe akomodimin, por edhe ditët e bukura të fundtetorit e fillim nëntorit, nuk ishte e njëjta situatë për vajzat izraelite, që gjithë kohën e kaluan në holl, në dhoma e në fushën e stërvitjes për shkak të normave të sigurisë. Por as kjo nuk e ndihmoi skuadrën të fitonte ndonjë pikë më shumë.

Ndërkohë që Shqipëria e Cyme Lulaj do ketë mundësitë të ketë një ndeshjeje play off për euro2025./newsport.al