Lajme

Latifi: Ata që ishin kundër Trumpit po e shohin rikthimin e tij si një “fund apokaliptik” të demokracisë

11/06/2024 10:33
nga:G C

Profesor Blerim Latifi ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar përjetimet e kundërta të mbështetësve dhe kundërshtarëve të Donald Trumpit. Latifi, në një postim në Facebook, vëren se përjetimi i këtyre rezultateve ka marrë një nuancë religjioze në shkallë globale, një fenomen që, sipas tij, nuk ka ndodhur më parë, raporton GazetaBlic.

Ai vëren se ata që ishin kundër Trumpit po e shohin rikthimin e tij si një “fund apokaliptik” të demokracisë, të SHBA-ve, të NATO-s dhe të dominimit perëndimor, ndërsa ata që ishin pro tij e perceptojnë këtë kthim si një “ringjallje”, jo vetëm amerikane, por edhe globale.

“Ky përjetim religjioz i ndryshimeve në politikën amerikane, na tregon, më shumë se çdo gjë tjetër, se Amerika vazhdon të perceptohet si kombi pa të cilin bota e ka të vështirë ta mendojë të ardhmen,” ka shkruar Latifi.

Sipas tij, ky polarizim i perceptimeve të ndryshme, duke marrë trajtën e një narrativi biblik, tregon se Amerika është ende një aktor global kyç, dhe qëndrimi i saj në politikën ndërkombëtare ka një ndikim të madh në të ardhmen e botës. Latifi thekson se ky fenomen përbën një dëshmi të fuqisë dhe ndikimit të SHBA-ve, si dhe të rolit të saj domethënës në ndihmën dhe mbështetjen e rendit ndërkombëtar.