Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale, pasi televizioni “Fox Neës” parashikoi se ai e ka mposhtur demokraten Kamala Harris.
“Amerika na ka dhënë një mandat të pashembullt dhe të fuqishëm” – tha ai të mërkurën herët para një turme të ngazëllyer, raporton agjencia “Reuters”.
Kandidati republikan për nënpresiden, JD Vance, e falënderoi ish-presidentin Trump që e lejoi t’i bashkohej fushatës së tij.
Duke folur para turmës në West Palm Beach, Vance e falënderoi Trumpin për, siç tha ai, “besimin që e ke vendosur mbi mua”.
“Mendoj se ne porsa ishim dëshmitarë të rikthimit më të madh politik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – tha Vance, edhe pse votat ende janë duke u numëruar në disa shtete.
Ai premtoi se Trumpi dhe ai tani “do ta udhëheqin rikthimin më të madh ekonomik në historinë amerikane”.
Mediat e tjera ende nuk e kanë shpallur të mbyllur garën, por duket se ai është buzë fitores, pasi u shpall triumfues në shtete kyçe si Pensilvania, Karolina e Veriot dhe Georgia, si dhe është në epërsi aktualisht në katër shtetet e tjera të rëndësishme, sipas qendrës “Edison Research”.
Trumpi e përmendi pak vrasjen në tentativë që u bë ndaj tij në korrik, kur një plumb ia rroku veshin në një tubim.
Ai tha para turmës se “u shpëtua për një arsye”, siç kishte thënë disa herë gjatë fushatës.