Asociacioni u bë së fundi sërish temë aktuale, duke u diskutuar dërgimi i draft statutit në Kushtetuese.
Kryeministri Kurti tha se kryeministrat s’bëjnë Asociacione, ndërsa Konjufca tha se BE po tenton t’i marrë të drejtën Kosovës për Asociacionin.
E, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se pajtohet me Kurtin lidhur me këtë çështje, duke shtuar se asociacionet janë përgjegjësi e institucioneve tjera.
“Institucionet e Kosovës nuk kanë draft të vetin sa i përket statutit të Asociacionit, prandaj nuk ka çfarë drafti të dërgojë kryeministri. Drafti është i hartuar nga ndërmjetësuesit të BE-së dhe ai nuk ka të drejta ligjore në Kosovë, pra nuk mund ta imponojë një dokument BE-ja që të dërgohet në Kushtetuese. Opinioni im është që institucionet e Kosovës duhet ta hartojnë draftin e statutit por natyrisht pajtohet me kryeministrin se ai nuk harton drafte e as statute të Asociacionit të komunave sepse ato janë përgjegjësi e institucioneve tjera”, ka thënë ai.
Deputeti ka folur dhe për mundësinë që Asociacioni të jetë kusht i BE-së për heqjen e masave nga BE-ja.
“Masat për dakordancën e Bratislavës ne i kemi realizuar 100 për qind ato që duhen realizuar dhe Borrell ka kërkuar që masat ndaj Kosovës të hiqen. Tash është çështje e brendshme e shteteve anëtare, me një fjalë ata e kanë komplikuar vetveten, mënyra si është marrë vendimi për masa ndaj Kosovës është e paprecedentë, edhe vet brenda BE-së po kontestohet mënyra se si janë marrë dhe tani po shkohet në një proces tjetër ku nëse një shtet thotë se s’do t’ia heq masat Kosovës, s’mund të hiqen, bllokohet procesi dhe ne jemi në këtë situatë ku një shtet thotë se s’do që të na i heq masat dhe procesi është bllokuar. Cili është faji i Kosovës këtu? Raporti i fundit thotë se duhet të hiqen. Nëse shtetet individuale fillojnë ta kushtëzojnë Kosovën me kushte shtesë, jo BE, por shtetet individuale atëherë kjo është çështje brenda BE-së, sepse a jemi duke bërë marrëdhënie me BE-në si etnitet apo me shtete individuale që e shfrytëzojnë BE-në për ta kushtëzuar Kosovën. Por, Kosova e ka bërë pjesën e vet, Asociacioni nuk është pjesë e masave”, ka vlerësuar Batusha për Gazeta Blic.
Ai ka shtuar se Asociacioni s’mund të nxirret si pikë e veçantë për zbatim.
“Asociacioni është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, e cila është e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të cilën nuk po e zbaton Serbia e as nuk po e pranon si marrëveshje dhe si të tillë, çka të zbatojmë ne, dhe nëse fillojmë ta zbatojmë aneksin e Ohrit, ajo duhet të jetë hap pas hapi, në bazë të një dakordance dhe nuk mund të zgjidhet një marrëveshje nga 36 marrëveshjeve, të themi kjo po më pëlqen, këtë po e bëjmë, duhet të ketë njëfarë renditje kohore e vlerore nga e cila duhet të zbatohen marrëveshjet”, potencon deputeti Agon Batusha.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë për Gazeta Blic se kryeministrat dhe partitë që fitojnë zgjedhjet marrin përgjegjësi në interes të qytetarëve.
“Tani jemi në fund të mandatit të kësaj qeverie, besoj që qeveria e ardhshme do të jetë serioze, kredibile dhe do të ndërmarrë veprime konkrete në harmonizim me Kushtetutën e vendit. Kryeministrat dhe subjektetet politike që i fitojnë zgjedhjet, duhet të ndërmarrin përgjegjësi në interes të qytetarëve por duke i ruajtur raportet me aleatët por në të njëjtën kohë t’i shërbejnë vendit dhe ta forcojë integritetin dhe sigurinë e vendit”, është shprehur ai.
Duke folur lidhur me mundësinë që Kurti ta dërgojë draft statutin e Asociacionit në Kushtetuese para zgjedhjeve, Beqa thekson se tani çdo gjë bëhet për kalkulim votash dhe nuk sheh zgjidhje serioze në asnjë veprim të Kurtit.
“Çdo veprim nga kjo qeveri bëhet për kalkulim të votave sepse është caktuar data e zgjedhjeve dhe nuk bëhet për të pasur një zgjidhje dhe nuk i shoh serioze tani e tutje veprimet e kryeministrit Kurti”, ka deklaruar deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa./Gazeta Blic/


