Lajme

Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve, njohësit e çështjeve juridike: Procesi Gjyqësor po shkon drejt përfundimit

11/04/2024 11:25
nga:Genita C

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka shprehur shqetësime të thella për funksionimin e Gjykatës Speciale që trajton çështjet e Kosovës.

Ai në një deklaratë për GazetaBlic, e përshkroi atë si “një Gjykatë të padrejtë, të çuditshme dhe surrogate”, duke e akuzuar Bashkësinë Ndërkombëtare për ndihmën në krijimin e një institucioni që, sipas tij, ka dështuar në përmbushjen e qëllimeve të saj.

Baraliu theksoi se gjykata është hermetike dhe jo demokratike, duke theksuar se ka humbur cilësinë si një institucion i pretenduar i Kosovës. Ai përmendi se procesi ka pasur më shumë hije se dritë, duke u shoqëruar me seanca të mbyllura dhe dëshmitarë nga qarqet anti-Kosovë, që nuk kanë sjellë rezultate të duhura.

“Ky proces është imponues dhe i palogjikshëm, duke e çuar vendin në një qorrsokak,” tha Baraliu, duke kërkuar që institucioni të reflektojë një angazhim më të thellë dhe të drejtpërdrejtë për drejtësi dhe transparencë. Ai përfundoi se Gjykata nuk ka arritur të argumentohet si e tillë, duke krijuar dyshime mbi legitimitetin e saj.

Ndërsa, avokati Skender Musa tha se gjatë këtyre katër viteve, që ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ky proces është ballafaquar me zvarritje të panevojshme.

Musa në një deklaratë për GazetaBlic theksoi se, dëshmitarët në Hagë më shumë kanë treguar për jetën e tyre personale, se për ndonjë çështje të rëndësishmë.

Madje, sipas tij, se ky proces është ballafaquar me zvarritje, po dëshmohet se ka filluar të reduktohet numri i dëshmitarëve.

“Ky proces është ballafaquar me zvarritje të panevojshme për shkak të numri të madhë të dëshmitarëve, këtu ka ndikuar edhe prokurori i Speciales, pasi shumica e dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi të hapura nuk kanë deklaruar asnjë çështje me rëndësi, nuk kanë pasë as çka tregojnë, sepse nuk e kanë njohur fare situatën. Shumica prej tyre, më shumë kanë paraqitur çështje të tyre personale se sa çështje që lidhen me ndonjë vepër penale”, tha Musa.

“Nga ana tjetër, pretendimet e vazhdueshme tonat që ky proces është duke u zvarritur me dëshmitarë të panevojshëm, po dëshmohet edhe me faktin se po reduktohet numri i dëshmitarëve vazhdimisht”, shtoi ai.

“Ky proces ka marrë një orientim, sepse edhe trupi gjykues e ka marrë një epilog tash dhe nuk do të jenë të interesuar për dëshmitarë që dëshirojnë ta promovojnë veten”.

Musa, paralajmëroi se ky proces është duke shkuar drejt fundit, madje paralajmëroi se mund të zgjasë veç edhe një vit.
“Ndërsa, dëshmitarët e mbrojtjes janë persona që e kanë njohur situatën e luftës dhe besoj që ata do t’i dhënë kahje procesit gjyqësor. Trupi gjykues do ta ketë më të lehtë që të vendos, në bazë të dëshmive të tyre. Ky proces më nuk do të zvarritet, sepse gjatë këtyre viteve dëshmitarët që Prokuroria i ka cilësuar si të rëndësishëm, janë dëgjuar. Pas, gjitha atyre që i kam analizuar, po shihet që procesi është duke shkuar drejt fundit dhe nuk pres që mund të ketë ndonjë zgjatje më shumë se edhe një vit, apo një vit e gjysmë”, përfundon Musa për GazetaBlic.