Lajme

Jeta brenda burgut të grave në Lipjan/ Rrëfimi i gruas për izolimin aty, shkroi dy libra për pak muaj

11/03/2024 21:34
nga:G B

Siguria është e lartë. Mure të larta me tela gjemborë rrethojnë hapësirën e Qendrës Korrektuese për femra në Lipjan. Brenda këtij burgu vuajnë dënimin rreth 35 gra.

Dënimet janë të ndryshme, nga një muaj paraburgim, e deri te 25 vite që është dënimi maksimal që vuhet në këtë burg.

Megjithë ngrohtësinë e rrezeve të diellit të kësaj vjeshte, jeta prapa grilave është gri, sikur edhe vet ato.

Edhe pse të burgosurat nuk ankohen për kushtet që kanë, ato thonë se në burg nuk ka ngjyra, ditët janë të gjata, koha kalon ngadalë dhe i mërzit fakti që janë aty, të mbyllura, të privuara nga liria.

Izolimin ua lehtësojnë sadopak vizitat e familjarëve, të cilat dallojnë varësisht nga stadi i dënimit.

Dita nis në orën 7 të mëngjesit, për të vazhduar me rutinën të cilën e tregon për dokumentarin Expose një nga paraburgosurat e kësaj qendre.

“Mëngjesin e kemi në ora 7, vijnë oficeret edhe ne duhet me qenë në këmbë, me e pas dhomën në rregull, pastaj e presim shëtitjen, e kemi në ora 10. Deri atëherë merremi me pastrim ose këqyrim televizor, sa për ta humbur kohën. Pastaj dalim shëtisim, jemi shoqe mes vete, kalojmë kohë të mirë. Pas shëtitjes kthehemi në pavijon, pastaj është mbyllja, pastaj i kemi disa aktivitete, jom prej atyre që marr pjesë në aktivitete, rrobaqepësi, informatikë, plus kanë me u shtu edhe disa tjera. Pastaj bëhemi bashkë në pavijon, rrimë në kuzhinë, pimë kafe me çikat, se ka të ndryshme. Edhe kështu mundohemi të merremi vazhdimisht me diçka, që mos të rrimë, por kemi aktivitete”, thotë ajo.

Ajo flet për aktivitetet të cilat merren dhe ato prej të cilave ka përfituar.

“Më me qejf është rrobaqepësia sepse kam mësuar për veten time dhe për fëmijët e mia që të qep rroba, stile të pantallonave, jakneve, edhe ende jam duke mësuar por deri tash kam mësuar goxha mirë”, shprehet ajo.

“Përpos kësaj, ora e parë është sot që e kam mbajt në Informatikë, nuk kam shumë njohuri por besoj se do ta kaloj me sukses”

Po ashtu, ajo ka treguar se gjatë qëndrimit në burg ka rizbuluar pasionin e saj për të shkruar, derisa ka shkruar një roman dhe një libër me poezi, të cilat shpreson se do t’i botohen gjatë qëndrimit aty. Ajo tregon se shkrimi ia ka lehtësuar shumë qëndrimin mbyllur.

“Kjo është pjesa që më pëlqen më shumë, kur bëhet fjalë për libra. Poezitë i kam pasur në gjak që kur kam qenë në shkollë, edhe këtu e kam kuptuar që një të dënuarve i është botuar libri dhe kam folur me mbikëqyrësen dhe shpresoj që edhe mua të ma botojnë librin, është një mundësi e mirë dhe nganjëherë them se më mirë që jam në burg se ndoshta e kam mundësinë që ta botoj librin”, thekson e paraburgosura.

“Një roman është me titull “Ai dhe ajo”. Pasi e kam mbaruar romanin, në kohën e lirë sa u mërzitsha, e kam marrë një fletore dhe kam shkruar poezi të ndryshme. Çka kam në shpirt e shprehi në fletore. Dhe më ka ndihmuar shumë, ma ka lehtësuar burgun”

Ditë e mërkurë mund ta shfrytëzojnë bibliotekën dhe të marrin libra.

“E kemi të mërkurën, mund t’i zgjedhim 2 libra cilët duam dhe ajo na e kalon kohën sepse merremi me leximin e librave”

Ajo thotë se me të burgosurat tjera janë si një familje dhe s’kanë probleme, teksa shton se trajtimin në burg e kanë të mirë, e as kushtet nuk janë të këqija.

“Jo, nuk kemi probleme, kalojmë shumë mirë mes vete, me thënë sikur një familje se këtu jemi 24 orë bashkë. Kushtet janë të mira, për mendimin tim nuk janë të këqija. Edhe trajtimi gjithashtu”.

Brenda burgut të Lipjanit ajo është prej katër muajsh e gjysmë dhe pas dy muajsh pret të lirohet. Arsyeja pse është aty thotë se është një gabim që ka bërë ndaj dikujt, e për të cilin thotë se është penduar.

“Katër muaj e gjysmë i bëj tash”.

“Pres edhe dy muaj, pasi dy mi kanë falur, edhe dy muaj me emër të Zotit pres të dal nga këtu dhe të mos kthehem kurrë më”.

“Gabimi që e kam bërë unë është që i kam shkaktuar dikujt dhunë psikologjike, edhe ajo është goxha me thënë një barrë për mua, edhe që nuk do të ndodhë me e përsërit kurrë më në jetën time”.

“Kemi vizita, dje e kam pasur vizitën, i kemi dy herë në muaj, e zgjedh ditën kur të duash, i kam parë familjarët, fëmijët. Është një gjë që të lumturon shumë kur i sheh familjarët në vizitë. Unë atë ditë që kam vizitë me shkon shumë shpejt java dhe jam shumë e lumtur”, thotë ajo.

Po ashtu, ajo tregon dhe planet për të vazhduar jetën sapo të lirohet nga burgu, teksa ka dhe një mesazh për të gjithë ata që gabojnë.

“Mendoj ta gjej një punë të ndershme, të mirë, dhe të vazhdoj me fëmijët e mi, të eci përpara në jetë. Po do të merrem me shkrime, s’do të ndalem kurrë në jetë sepse është një gjë që ma do shpirti. Çdo njeri gabon, kurrkush nuk është i pagabueshëm por me rëndësi është që t’i përmirësojë gabimet, mos të përsëriten më dhe me u marr me aktivitete, me gjëra të ndryshme të mirë, që mos të të çojnë në rrugë të këqija”, ka deklaruar ajo./Gazeta Blic/