Lajme

Haradinaj në Pejë: Anëtarësimi direkt në NATO, shtysë për zhvillimin ekonomik

11/02/2024 16:55
nga:Y I

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-E30, vizitoi Pejën ku u takua me figura të rëndësishme lokale dhe theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Gjatë vizitës, ish-kryeministri ndau mirënjohje për kontribuesit e AAK-së dhe u takua me përfaqësues të klubit të futbollit lokal.

“Anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO përmes Planit Aksional nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe një shtysë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë,” deklaroi Haradinaj, duke nënvizuar angazhimin e tij të palëkundur në këtë drejtim, raporton “Gazeta Blic”.

Gjatë qëndrimit në qytet, politikani nga Deçani shprehu mirënjohje për Prof. Ali Sylqa, duke e cilësuar atë si “një nga shtyllat e AAK-së në qytet”. Haradinaj shtoi: “Kontributi i tij në themelimin, zhvillimin dhe forcimin e Aleancës në Pejë, për dekada, meriton respektin e mirënjohjen tonë më të thellë.”

Në stadiumin “Tahir Vokshi” në Brestovik, kandidati për kryeministër u takua me përfaqësuesit e Klubit të Futbollit “FC Besa Peja”, duke theksuar rëndësinë e sportit për rininë kosovare.

“Ky klub nuk është thjesht një ekip sportiv, por një simbol i ringjalljes së traditës pejane të futbollit,” tha Haradinaj.

Postimi i plotë:

Vizita në Pejë ishte e mbushur me momente domethënëse e takime frymëzuese. Fillova me ndarjen e mirënjohjes për Prof. Ali Sylqa, një nga shtyllat e AAK-së në qytet. Kontributi i tij në themelimin, zhvillimin dhe forcimin e Aleancës në Pejë, për dekada, meriton respektin e mirënjohjen tonë më të thellë.

Më pas qëndrova në stadiumin “Tahir Vokshi” në Brestovik. Takimi me përfaqësuesit e Klubit të Futbollit “FC Besa Peja”, Presidentin e klubit Ardet Zekaj me bashkëpunëtorë, ishte një kujtesë e rëndësisë së sportit për rininë tonë. Ky klub nuk është thjesht një ekip sportiv, por një simbol i ringjalljes së traditës pejane të futbollit.

Mes tjerash, gjatë këtyre vizitave, theksova rëndësinë e anëtarësimit direkt të Kosovës në NATO përmes Planit Aksional. Ky hap strategjik nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe një shtysë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Angazhimi ynë në këtë drejtim mbetet i palëkundur.