Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, pak ditë më parë deklaroi se Prishtina dhe Beogradi duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne pajtohemi me BE-në se projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e Dialogut. Kosova dhe Serbia secila duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023 duke përfshirë AKS-në dhe zgjidhjet e Dialogut për të gjithë qytetarët, përfshirë për serbët në Kosovë” shkruan zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, raporton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me deklaratën e zëdhënësit të DASH, ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Lekaj tha se deklaratat e vazhdueshme të DASH dhe BE për themelimin e Asociacionit janë të qarta dhe tregojnë presionin ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës për të zbatuar marrëveshjet e arritura.
Ai tutje potencoi se një insistim i tillë tregon se partnerët tanë ndërkombëtarë e konsiderojnë këtë si një hap të domosdoshëm për stabilitetin në rajon.
“Deklaratat e vazhdueshme nga DASH dhe BE për themelimin e Asociacionit janë të qarta dhe tregojnë presionin ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës për të zbatuar marrëveshjet e arritura. Ky insistim tregon se partnerët tanë ndërkombëtarë e konsiderojnë këtë si një hap të domosdoshëm për stabilitetin në rajon dhe për vazhdimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës” tha Lekaj për “Gazeta Blic”.
Deputeti i AAK-së, Lekaj, tha se për themelimin e Asociacionit është e rëndësishme që të ruhet integriteti i shtetit të Kosovës .
Ai tha se nëse Qeveria nuk merr hapa konkret do të përballemi me rritje të presionit ndërkombëtar.
“Sidoqoftë, për themelimin e Asociacionit është e rëndësishme që të ruhet integriteti i shtetit të Kosovës dhe të sigurohet që Asociacioni të funksionojë brenda kuadrit kushtetues, pa cënuar sovranitetin dhe pavarësinë. Nëse qeveria nuk ndërmerr hapa konkretë, do të përballemi me rritje të presionit ndërkombëtar dhe mundësi për pasoja politike e ekonomike. Themelimi i Asociacionit, nëse ndodh, duhet të jetë në harmoni të plotë me interesat shtetërore të Kosovës dhe me garanci të qarta që ruajnë funksionimin demokratik të vendit” përfundoi Lekaj përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
DASh: Projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor mbi Kosovën, shkel detyrimet e dialogut


