Lajme

Lekaj: VV ka rënë 35% në sondazhe, po heshtin, janë bërë nervoz

11/01/2024 12:19
nga:Sh R

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka rënë në 35% në sondazhe, çka sipas tij i ka bërë nervoz dhe është arsyeja pse nuk po shkojnë në parlament për të diskutuar.

Lekaj ka shtuar se në zgjedhjet e 9 shkurtit LVV-së do t’i rrezikohet 100% fitorja dhe për mendim të tij nuk do të përsëritet rezultati i katër viteve më parë.

“Dukshëm ka ra tani. Në një sondazh që është bërë para dy jave që nuk po e publikojnë vetë e kanë bërë e që e pozicionojnë 35%, por po heshtin nuk po e publikojnë për atë janë bërë nervoz edhe nuk vijnë të diskutojnë as në parlament, sepse po e din që e kanë humbur rrugën në oborr si i themi. Mendoj se 100% do t’i rrezikohet fitorja dhe më nuk do të flitet e as nuk do të përsëritet rezultati i para katër viteve. Ne jemi gjallë dhe shëndoshë e do ta shohim, do të jemi prezent, do të hyjmë në fushatë, do të vjen 9 shkurti, do të vijnë rezultatet dhe do ta shihni”, ka thënë ai në emisionin “Info Nata”, në Tëvë1.

Ndërsa, sipas tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit do të ketë sukses më të mirë dhe më të fuqishëm se ai i para katër viteve.

“Unë nuk do të përmendi përqindje, por Aleanca, Nisma dhe shumë të tjerë që iu kanë bashkuar AAK-së hyjmë në këto zgjedhje për të fituar dhe është reale që Aleanca të ketë bindshëm sukses më të mirë dhe më të fuqishëm se para katër viteve”, ka shtuar Lekaj.