Lajme

Kica-Xhelili: Rritja e pagave është një ofendim – Qeveria po vjedh të drejtat e punonjësve!

10/29/2024 20:13
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka shprehur pakënaqësinë e thellë lidhur me “rritjen” e pagave për sektorin publik, duke theksuar se kjo nuk është gjë tjetër veçse një ofendim për punonjësit, raporton GazetaBlic.

Ajo theksoi se të gjitha kategoritë po reagojnë ndaj kësaj situate, që është rezultat i një politike të papranueshme.

“Së pari, ofendohen sepse iu vodh ajo që iu takonte që katër vjet,” tha Kica-Xhelili, duke bërë referencë në vonesat e paga që ata e kanë pritur. Ajo gjithashtu theksoi se rritja e propozuar e pagave nuk e mbulon as afërsisht inflacionin prej 22%, duke e bërë këtë propozim të papërshtatshëm për nevojat reale të qytetarëve.

Deputetja përmendi se kjo Qeveri po e trajton pagën e sektorit publik si një “favor” që jepet në dy këste: një para zgjedhjeve dhe një tjetër pas.

“Qeveria po ua përplasë hundësh paratë që u takojnë, por këtë e bën përmes proceseve të kundërligjshme dhe në vlera mjeruese,” shtoi ajo, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjshmëri nga ana e Qeverisë.

Duke përfunduar, Kica-Xhelili u shpreh se ndryshimi po vjen, duke shprehur besimin se qytetarët do ta kenë zërin e tyre në zgjedhjet e ardhshme dhe se situata aktuale nuk mund të vazhdojë më gjatë.