Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se pagat në sektorin publik kanë pësuar rritje për vitin 2023 dhe do të vazhdojnë të rriten edhe në vitin 2024 dhe 2025, raporton GazetaBlic.
Ai theksoi se rritja e pagave është një rezultat i hyrjes në fuqi të ligjit për pagat dhe është e justifikueshme për shkak të rritjes ekonomike që po përjeton vendi.
“Rritja do të jetë 110 euro në muaj për secilin punonjës të sektorit publik. Hyrja në fuqi e rritjes do të jetë e ndarë në dy faza: faza e parë, e cila do të hyjë në fuqi në janar, do të ofrojë një rritje prej 55 euro, ndërsa faza e dytë, e planifikuar për muajin korrik, do ta sjellë rritjen e totale në 110 euro,” tha Murati.
Ministri theksoi se kjo rritje nuk do të përfshijë vetëm pozitat e shfaqura në tabelën e paraqitur gjatë konferencës, por do të ndikojë në të gjithë shërbyesit publikë.
“Tabela e shfaqur ishte vetëm për të ilustruar se si do dukej rritja për disa prej pozitave në sektorin publik. Fokusimi ynë është në përmirësimin e kushteve për të gjithë punonjësit,” theksoi ai.


