Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, thotë se penalltia e dhënë ndaj West Ham United në përplasjen e së dielës mes dy skuadrave ishte e padrejtë.
Matthias de Ligt faulloi Max Kilmann dhe Jarrod Bowen e realizoi golin nga penalltia në minutën e 92-të për t’i dhënë londinezëve një fitore 2-1 në shtëpi, transmeton GazetaBlic Sport.
Penalltia fillimisht nuk u akordua nga David Coote, por gjyqtari i VAR-it, Michael Oliver rekomandoi që Coote të rishikonte incidentin.
Ten Hag konfirmoi se ai foli me Coote pas ndeshjes për vendimin, të cilin ai e përshkroi për BBC Sport si “të padrejtë”.
“Por vendimi është marrë”, shtoi holandezi. “Nuk ka kthim prapa dhe ky është futbolli”.
“Kjo është hera e tretë që ndjej padrejtësi këtë sezon dhe kjo ka një ndikim të madh në ekipin tonë, në rezultatet tona dhe në vendin ku jemi në tabelë. Nuk është e drejtë”, komentoi Ten Hag.
/GazetaBlic Sport/