Showtime

Endrit Krasniqi fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK

10/27/2024 07:05
nga:G B

Endrit Krasniqi është fituesi i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK. Ai mori trofeun “Diamanti blu” me këngën “Flas me gjethen”.

Juria ndau çmimin e dytë për Greta Azizin, me këngën “Verës”, derisa çmimi i tretë i shkoi Dea Stricës me këngën “N’Shqipni”.

Çmimi i Pallatit të Rinisë dhe i kryeqytetit shkoi për Besmir Shishko me këngën “Unë ajo”, të cilat i mori nga nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj dhe udhëheqësja e Pallatit të Rinisë, Mrika Gashi.

Çmimin e orkestrës e ndau drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku për Arnitë Kastrati me këngën “Blla blla”. Ai kërkoi duatrokritje për Orkestrën e Festivalit, të cilët kanë shoqëruar këngët me instrumentet muzikore.

Juria sivjet ishte në përbërje nga Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, njohëse e muzikës ballkanike, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, Valbona Selimllari, Miss i parë shqiptar dhe Blerta Zeqiri, regjisore.

Në natën finale kanë performuar 9 artistë: Arnitë Kastrati me “Blla blla”, Besmir Shishko me “Unë Ajo”, Rei Bezhani me “Zonjë tradhti”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen”, Ardit Stafaj “Faji”, Greta Azizi me “Veres”, Dea Strica me këngën “N’Shqipni”, Agim Poshka me “Ndarja erdhi” dhe Blendi Kaso me “Një të vetme ka në jetë”.