Lajme

LDK: MPJD të sqarohet për skandalin me postën diplomatike, fajin ia la operatorit ekonomik

10/25/2024 20:20
nga:Sh R

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për skandalin në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pas raportimeve se kompania që ishte përzgjedhur për dërgesat nga Prishtina në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës nëpër botë, ka dështuar t’i ofrojë shërbimet që i kishte premtuar me kontratë.

LDK në reagimin e lëshuar ka potencuar se MPJD nuk ka arritur të menaxhojë “asnjë proces kaq të thjeshtë siç është posta diplomatike”.

Ndër tjera, theksohet se kjo ministri, sipas LDK-së, e cila i ka lënë fajin operatorit ekonomik për këtë skandal, ka për obligim që të sqarohet për këtë.

“Pushteti aktual po tregon paaftësi të thellë dhe dështime të njëpasnjëshme. Përveçse nuk i ka sjellë Kosovës asnjë njohje të re apo anëtarësim ndërkombëtar, nuk arrin të menaxhojë asnjë proces kaq të thjeshtë siç është posta diplomatike”.

“Keqmenaxhimi dhe mungesa e kompetencës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas raportimeve të mediave ka çuar në humbjen e 400 pasaportave të mërgimtarëve, mbi 160 letërnjoftimeve dhe vendimeve për shtetësinë. Me taksat e qytetarëve, MPJD paguan çmime të larta për dërgesat diplomatike, gjashtë herë mbi çmimin e tregut, por përsëri dështon, ashtu si në çdo proces tjetër. Kjo Ministri e cila i ka lënë fajin operatorit ekonomik për këtë skandal, ka për obligim që të sqarohet për këtë”, thuhet në reagim.

Poashtu, LDK-ja është thellësisht e shqetësuar nga ky skandal i Ministrisë së Punëve të Jashtme, në ofrimin e shërbimeve të rëndësishme si posta diplomatike, “veçanërisht në rastin ku është paguar shumëfish më shtrenjtë për një tender, i cili në fund rezulton i dështuar”.