Të enjten, është mbajtur nata e parë e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.
Festivalin e kanë prezantuar Genc Salihu dhe Drita Kabashi, derisa krahas 16 këngëve konkurrente këtë mbrëmje me prezencën e tyre në skenë e kanë madhështuar Ylli Limani, Elita 5 dhe Aurela Gaçe.
Në mesin e këtyre konkurrentëve, ishte edhe këngëtarja Arnite Kastrati, e cila para publikut të Festivalit të Këngës, solli projektin muzikor të saj të titulluar “Blla Blla”.
Secila prej këngëve pati veçoritë e saj dhe tek publiku solli emocion, derisa juria profesionale edhe gjatë dy netëve tjera do të ketë mundësi t’i dëgjojë performancat e këngëtarëve pjesëmarrës për të dhë vlerësimin sa më real në fund të festivalit.
Në skenë u ngjit edhe fituesi i edicionit të kaluar La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, derisa një interpretim të shkëlqyeshëm e pati prezantuesja e festivalit, aktorja Drita Kabashi, e cila këndoi këngën “Mallëngjimi” të kënduar dikur nga Muharrem Qena.
Transmetimi i drejtpërdrejt në RTK filloi qysh në orën 20:10 me pritjen e të ftuarve në tepihun e kuq të Pallatit të Rinisë, ndërsa festivali u hap në ora 21:00.
Nata e dytë mbahet të premten në orën 21:00, derisa nata finale të shtunën në të njëjtën kohë.
Gazeta Enigma.