Sporti

Shembull i shkëlqyeshëm profesionalizmi, Astrit Hasani nderohet me çmimin e madh evropian “Gold Star”

10/25/2024 16:53
nga:Mergim Rreci

Sporti vazhdon të jetë njëra nga fushat që po e përfaqëson me dinjitet emrin e Republikës së Kosovës.

Përveç sukseseve të sportistëve kosovarë, sukses të jashtëzakonshëm po arrijnë edhe figurat e disa institucioneve që përfaqësojnë federata të ndryshme të vendit tonë, pavarësisht që për disa të tjera ka kritika të mëdha për mënyrën e tyre të funksionimit.

Një shembull suksesi, profesionalizmi dhe pune të shkëlqyeshme është Astrit Hasani, i cili e ka ngritur në nivelin më të lartë organizmim e Federatës së Peshëngritjes.

Hasani është përfaqësuesi i parë nga Kosova, i cili në vitin 2016 kishte arritur të jetë pjesë e udhëheqësisë të Bordit Ekzekutiv të ndonjë Federata Evropiane, kurse pastaj Agron Kuka dhe Arben Fetahu ishin pasues në federatat e tyre përkatëse, gjatë viteve 2022, 2023.

Për shkak të kontributit në peshëngritjen botërore sot në Varshavë te Polonisë në Kongresin Evropian, Astrit Hasani e pranoi çmimin e madh evropian ‘Ylli i Artë’, duke vulosur suksesin e jashtëzakonshëm, si dhe duke treguar vlerat e fituara në aspektin akademik, ku ka titullin prej doktori, të fituar poashtu në Universitetin e Varshavës.

Për shkak të kontributit dhe afërsisë me Presidentin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, atij i u besua posti i Drejtorit Ekzekutiv për organizimin e kongresit zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes në Tiranë, Shqipëri, në qershor 2022.

Për këtë, pak ditë më parë Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli falënderoi Astritin për kontributin e tij në organizimin model të kampionateve europiane dhe botërore duke kulmuar me organizimin e kongresit zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Natyrisht, figurat e tilla përfaqësuese janë model i shkëlqyeshëm për çdo federatë sportive, duke fituar respekt ndërkombëtar, e mundësi për përkrahje nga organizatat e tilla respektive.

/GazetaBlic Sport/