Lajme

Çka është BRICS – rreziku i këtij blloku ku mori pjesë edhe Serbia

10/25/2024 13:46
nga:N K

Blloku BRICS i vendeve me ekonomi të mëdha në rritje – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – kanë mbajtur samitin e 15-të me liderët e vendeve anëtare në Johanesburg mes 22 dhe 24 gushtit.

Më poshtë mund t’i lexoni disa nga faktet kryesore rreth këtij blloku dhe anëtarëve të tij, që i shpalli luftë dollarit

Çka është blloku BRICS?

Akronimi BRIC, që në fillim nuk e përfshinte Afrikën e Jugut, u përdor për herë të parë në vitin 2001 nga ekonomisti i Goldman Sachs, Jim O’Neill në një hulumtim që nënvizonte potencialin e rritjes së Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës.

Blloku u themelua si një grup joformal në vitin 2009 për t’iu ofruar një platformë anëtarëve të tij për ta sfiduar një rend botëror të dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të Perëndimit.

Krijimi i këtij blloku u iniciua nga Rusia.

Grupi nuk është organizatë shumëpalëshe formale si Kombet e Bashkuara, Banka Botërore ose Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).

Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare mblidhen çdo vit, ndërsa secili vend e merr kryesinë njëvjeçare të bllokut sipas një radhe të paracaktuar.

Kush janë anëtarët e këtij blloku?

Brazili, Rusia, India dhe Kina janë anëtarët themelues të këtij blloku.

Afrika e Jugut, anëtarja më e vogël për sa i përket ndikimit ekonomik dhe numrit të popullsisë, ishte përfituesja e parë e një zgjerimi në vitin 2010, kur blloku u bë i njohur si BRICS.

Së bashku, këto vende përbëjnë më shumë se 40 për qind të popullsisë së botës dhe një të katërtën e ekonomisë globale.

Përveç gjeopolitikës, anëtarët e këtij blloku kanë për qëllim të fokusohen edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e tregtisë dhe zhvillimit shumëpalësh.

Blloku funksionon me konsensus. Të gjitha vendet e BRICS janë pjesë e Grupit të të 20 vendeve më industrializuara në botë (G20).

Cilat vende duan të anëtarësohen në BRICS dhe pse?

Mbi 40 vende, përfshirë Iranin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentinën, Algjerinë, Bolivinë, Indonezinë, Egjiptin, Etiopinë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Komoret, Gabonin dhe Kazakistanin, kanë shprehur interesim për t’u anëtarësuar në këtë bllok, sipas zyrtarëve të Afrikës së Jugut, që po e kryeson bllokun gjatë vitit 2023.

Këto vende e shohin bllokun BRICS si një alternativë ndaj trupave globale që shihen si të dominuara nga fuqitë tradicionale perëndimore dhe shpresojnë se anëtarësimi do të ofrojë përfitime si në financim të zhvillimit dhe rritjes së tregtisë dhe investimeve.

Irani, ku gjendet rreth një e katërta e rezervave të naftës në Lindjen e Mesme, ka thënë se shpreson që procesi për zgjerimin e ri të bllokut do të vendoset “sa më parë”.

Arabia Saudite, vend i pasur me naftë, ishte në mesin e më shumë se dhjetëra vendeve që morën pjesë në bisedimet e “Miqve të BRICS” në Kejp Taun në qershor.

Argjentina tha në korrik të vitit 2022 se kishte marrë mbështetjen zyrtare të Kinës në përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në këtë bllok.

Etiopia, një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Afrikë, tha në qershor se kishte kërkuar të anëtarësohej në bllok. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se Etiopia do të vazhdojë të punojë me institucionet ndërkombëtare që mund t’i mbrojnë interesat e vendit.

Presidenti i Bolivisë, Luis Arce, ka shprehur interesim për anëtarësim në BRICS dhe pritet të marrë pjesë në samit. Qeveria e Bolivisë tha në korrik se ishte e vendosur ta frenonte varësinë nga dollari amerikan për tregtinë e jashtme, duke u kthyer te juani kinez, në përputhje me synimin e deklaruar të liderëve të BRICS për ta reduktuar varësinë nga SHBA-ja.

Algjeria tha në korrik se ka aplikuar për anëtarësim në BRICS dhe për t’u bërë aksionare në Bankën e Re për Zhvillim, të ashtuquajturën Banka e BRICS. Kombi i Afrikës së Veriut është i pasur me burime nafte dhe gazi dhe po kërkon ta diversifikojë ekonominë dhe ta forcojë partneritetin me Kinën dhe vendet e tjera.

Serbia e do BRICS-in

Dy deputetë të Lëvizjes Socialiste paraqitën në Parlament draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS.

Grupi BRICS përbëhet nga: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Republika e Afrikës së Jugut, ndërsa Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por është dikush që e do BRICS-in si alternativë për Serbi.

Në një draft-rezolutë thuhet se anëtarësimi i Serbisë në atë grup duhet të jetë një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike dhe kombëtare.

Një nga propozuesit e këtij dokumenti, deputeti Gjorgje Komllenski, thotë për Radion Evropa e Lirë se motivi kryesor është se këta deputetë besojnë se BE-ja nuk është alternativa e vetme për Serbinë.

Propozimi u bë nga partia, kryetar i së cilës deri vonë ishte Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Për shkak të zgjedhjes në krye të BIA-s, Vulin e ngriu pozicionin e tij në parti në fund të nëntorit, 2022.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e futën Vulinin në listën e sanksioneve, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.

Draft-rezoluta serbe për anëtarësimin në BRICS erdhi pak ditë pas samitit të këtij grupi, i cili u mbajt në Johanesburg të Afrikës së Jugut, në fund të gushtit.

Në këtë samit, ftesë për t’iu bashkuar grupit morën gjashtë vende: Arabia Saudite, Irani, Etiopia, Egjipti, Argjentina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Çfarë shkruan në draft-rezolutë?

Në draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS thuhet se “e ashtuquajtura rrugë evropiane e Serbisë ka një alternativë në BRICS” dhe e përshkruan atë si “procesin më aktual integrues ekonomiko-politik”.

“Ne e mbështesim një rend botëror që do t’i kufizonte dekadat e hegjemonisë perëndimore”, thuhet, ndër të tjera, në draft-rezolutë.

Aty, gjithashtu, thuhet se politika e jashtme e “Perëndimit kolektiv është shpesh në konflikt me interesat jetike, shtetërore dhe kombëtare” të Serbisë.

Sipas draft-rezolutës, vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Serbisë në BRICS duhet ta marrin qytetarët nëpërmjet referendumit.

Thuhet, po ashtu, se kjo nismë nuk nënkupton ndalimin e integrimit evropian.

Komllenski thotë për Radion Evropa e Lirë se BRICS-i, pa marrë parasysh anëtarësimin në BE, mund të jetë shumë i dobishëm për Serbinë.

Sipas tij, do të hapej një hapësirë shumë më e madhe sa i përket ekonomisë dhe tregtisë, në raport me BE-në.

“E dyta është se [nga BRICS-i] nuk ka parakushte siç ka nga ana e BE-së për ‘Kosovën dhe Metohinë’, për njohjen e saj, apo siç përpiqen ta quajnë – harmonizimin e marrëdhënieve”, thotë Komllenski.

Krahas harmonizimit të legjislacionit me BE-në, Serbisë i kërkohet edhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, si kusht për përparim drejt bllokut evropian.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 – tre vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë.

Çka tha Vulin në Rusi?

Zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin deklaroi në ditën e fundit të samitit të BRICS në Kazan se kjo organizatë ka një detyrim historik për të përmbushur shpresat e ngritura dhe për të forcuar bashkëpunimin kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe “revolucioneve me ngjyra.”

Gjatë pjesëmarrjes në seancën plenare të samitit, të kryesuar nga presidenti rus Vladimir Putin, Vulin theksoi se ndryshimet globale të shkaktuara nga unipolariteti kanë afruar botën “në prag të shkatërrimit” dhe se BRICS ka një rol të rëndësishëm për rivendosjen e ekuilibrit dhe të një sistemi ndërkombëtar me rregulla të qarta.

“BRICS ka detyrimin historik për të justifikuar shpresën që ka zgjuar, të punojë për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe revolucioneve me ngjyra, përmes të cilave Perëndimi anulon vlerat demokratike dhe vendos qeveri që shndërrojnë vendet e tyre në koloni“, tha ai.

Vulin shtoi se termat “Jugu Global” dhe “Perëndimi Global” nuk përcaktojnë vetëm gjeografi, por vlera të përbashkëta që bashkojnë pjesëmarrësit e samitit, duke theksuar se takimi i gjashtëmbëdhjetë i BRICS ka treguar që është “e pamend” të besohet se Rusia mund të izolohet, Kina të frikësohet ose Serbia të pengohet të zgjedhë miqtë e saj.

“Fuqia e pakufizuar u kthye në krim kur NATO sulmoi Serbinë në 1999, pa kërkuar miratimin e Kombeve të Bashkuara, me forcën si justifikim të vetëm. NATO atëherë u përpoq të shkatërronte Serbinë, por Serbia mbijetoi. Megjithatë, ai veprim shkatërroi të drejtën ndërkombëtare”, shtoi Vulin.

Në margjinat e samitit, i cili u mbajt nga 22 deri më 24 tetor, Vulin falënderoi shërbimet speciale ruse për informimin e hershëm mbi përgatitjet e trazirave të 10 gushtit, që synonin përmbysjen e udhëheqjes së Serbisë.