Lajme

Shtyhet gjykimi ndaj dy të akuzuarve për korrupsion

10/25/2024 13:28
nga:Y I

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të premte ka dështuar të nisë gjykimi ndaj zyrtarit të ATK-së Samir Smajli dhe biznesmenit Behxhet Bicaj të cilët po akuzohen për korrupsion.

Kërkesën për shtyrjen e seancës e ka bërë mbrojtësi i të akuzuarit Smajli, avokati Besnik Berisha i cili ka kërkuar pajisjen me shkresat e lendës dhe kohë të mjaftueshme për përgatitjen e lëndës.

“…ka evoluim procedural e shtim shkresash të cilat ne as nuk jemi në dijeni e as nuk e dijmë ligjshmërinë e tyre prandaj na duhet që të pajisemi me shkresa dhe të marrim kohen e mjaftueshme për të analizu dhe pastaj ta vijojmë si çdo herë në çdo rast”, ka deklaruar avokati Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Poashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bicaj, avokati Skender Musa e ka mbështetur kërkesën e avokatit Berisha.

Lidhur me kërkesën e avokatit Berisha, prokurori i rastit Arianit Salihu deklaroi se është caktuar me vone në përfaqësimin e kësaj aktakuze, mirëpo të njëjtin do ta pajisë me të gjitha shkresat e lëndës.

Tutje, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku, aprovoi kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e seancës dhe të njëjtën e caktoi për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 qershor 2020, i akuzuari Samir Smajli, në cilësinë e inspektorit tatimor në ATK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, në vitin 2019, në një lokal në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, është takuar me të akuzuarin Behxhet Bici, drejtorin e agjensionit turistik “Bici – Com”, nga i cili ka kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 7,000 euro.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se, i akuzuari Smajli ka kërkuar shumën e lartcekur me qëllim që të ndihmojë pronarin e kompanisë “Bici” rreth rimbursimit të mjeteve prej 166.000, e cila kërkesë paraprakisht ishte refuzuar nga ATK dhe duke i thënë se kërkesa e tij për rimbursim do t’i aprovohet.

Për këto veprime, Smajli akuzohet se ka kryer veprën penale, “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërsa, Behxhet Bici akuzohet për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, për të njëjtën gjendje faktike të përshkruar në dispozitivin e parë.