Lajme

Besnik Tahiri për mungesën e deputetëve të Vetëvendosjes e Qeverisë në Kuvend: Nuk ua mban të ballafaqohen

10/24/2024 13:18
nga:G C

Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetët e pozitës dhe anëtarët e kabinetit e qeveritar nuk po kanë guxim që të përballen në Kuvend.

“Thatë këtu, thatë këtu”, tha Tahiri derisa bëri me dorë nga vendet e zbrazëta. “As deputetët e shumicës, as të qeverisë”.

Tahiri tha se ata do të duhej të ishin për të diskutuar për “një temë që është një skandal jo vetëm për rendin dhe ligjin, por një skandal publik që kërkon përgjigje”.

Ai tha se kanë thirrë këtë seancë “për shkak që përgjimet që kanë dalë tregojnë për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të strukturave joformale, që s’kanë asnjë pozicion në shtetin e Kosovës”.

“Po ikin e po fshihen se nuk ia mban me ardhë me u ballafaqu me argumentet”.

Tahiri tha se kur është bërë blerja e energjisë janë lidhur kontrata të dëmshme, “me tregti të rrymës në shumicën e rasteve janë me bazë të dyshimtë korruptive dhe pa licencë”.

Për ndërhyrjen e personave joformalë në menaxhimin e KEK-ut, Tahiri ka thënë se bordi i KEK është dashur të kërkojë përgjegjësi.

“Kanë dalë në publik komunikime që në Kosovë ka vendosur se kur ndalet rryma një njeri. Ndikimi i një individi që ka detyrë partiake në poilitikëbërjen e bordit të KEK-ut. Kjo përgjigje duhet të jepet nga anëtarët e bordit. Për çka jeni aty? Për me marrë rroga?”.