Lajme

Humolli: Nuk pres asgjë të re nga takimi sot në Bruksel, vetem vazhdim të poshtrimit të Kosovës!

10/24/2024 10:05
nga:Y I

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen sot në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Bisedimet pritet të fillojnë me takime dypalëshe të delegacioneve ndaras me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Në lidhje me takimin ka folur dje edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai deklaroi se agjenda është njëjtë si në të kaluarën, nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu.

“Agjenda është e njëjtë sikur që ka qenë edhe në të kaluarën, pra nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të pajtohen për progresin në dialog”, tha Stano raporton “Gazeta Blic”.

Por, skeptik për takimin është shprehur deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli.

Humolli tha për “Gazeta Blic” se nuk pret asgjë nga takimi sot dhe se Kosovës po i bëhet vetëm poshtërim.

“Nuk pres të re asgjë nga takimi sot në Bruksel, vetem vazhdim të poshtrimit qe po i bëhet Kosovës” tha Humolli shkurt për “Gazeta Blic”.

Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura.

Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025.

/Gazeta Blic/

Stano: Nesër në takimin e dialogut flitet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit