Lajme

Hoxhaj: Marrëveshja e Ohrit shtyu Sllovakinë ta mbyllë zyrën në Prishtinë

10/23/2024 15:10
nga:G C

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit e ka detyruar Slovakinë ta mbyllë zyrën në Prishtinë dhe ta mbulojë Kosovën nga Beogradi.

Hoxhaj këtë reagim e ka bërë pas lajmit se Sllovakia do ta mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Prishtinë më 31 dhjetor të këtij viti.

Sipas Hoxhës ky është rezultat i politikës së jashtë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Marrëveshja e 2013-ës i hapi rrugë disa njohjeve nga Egjipti deri në Singapor, Pakistan dhe shumë vende të tjera! Marrëveshja e Washingtonit solli njohjen e Israelit, e Marrëveshja e Ohrit shtyu Slovakinë ta mbyllë zyrën në Prishtinë dhe ta mbulojë Kosovën nga Beogradi. Kaq për politikën e jashtme të Albin Kurtit”, ka shkruar ai në Facebook.

Të mërkurën u raportua se Sllovakia, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do ta mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Prishtinë më 31 dhjetor të këtij viti.

Në ueb-faqen e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë thuhet se pavarësisht mbylljes së zyrës, “shërbimet për qytetarët sllovakë dhe raportet diplomatike do të mbahen në bazë të kornizës së operacioneve nga ambasadat sllovake në shtetet fqinje”.

Ndërkaq, MPJD-ja tha se pavarësisht vendimit për mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse, Kosova është e përkushtuar që t’i forcojë raportet me Sllovakinë, “qoftë nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse, qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”.