Lajme

Hasani: Kurti e Rama s’kanë asnjë përplasje për asgjë substanciale

10/23/2024 13:30
nga:G C

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, nuk kanë asnjë lloj përplasje sa i përket temave të rëndësisë për të dy vendet.

Ai duke folur për raportet ndërmjet dy vendeve ka cituar një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, se “vetëm lajmet e këqija bëhen lajm”.

“Nuk shoh ndonjë përplasje për asgjë. Nuk shoh ndonjë përplasje për asgjë substanciale. Nuk shoh ndonjë përplasje për tema që kanë të bëjnë me ardhmërinë e Kosovës, me njohjen e Kosovës si vend të pavarur dhe për tërësinë dhe integritetin e territorit të saj. Nuk shoh asnjë përplasje për angazhimin që ka Shqipëria për maksimalizimin e përpjekjeve, që Kosova të jetë sa më pranë Bashkimit Evropian. Të jetë një vend që të hapë apo të shkelë gjithë ato etapa që vendet e tjera i kanë shkelur dhe të përparojë në mënyrë sa më të shpejtë, pasi bëhet fjalë për një vend patjetër me një demokraci vibrante. Një vend thelbësisht pro euroatlantik konkuron me Shqipërinë në përqindjet e dëshirës për të qenë sa më pranë dhe sa më shpejt familjes euroatlantike. Dhe për një realitet që është vetëm pozitiv, me njerëz që po shtyjnë përpara për të pasur një shoqëri dhe ata sa më të shpejtë europianistë”, ka thënë Hasani në një intervistë për euronews.al, kur është pyetur për raportet ndërmjet Kurtit dhe Ramës.

Ai ka thënë se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të merren si shembull.

“Kosova është pika kryesore e punës së politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Gjithmonë ka qenë dhe në momentet më të vështira të shtetit shqiptar, është fokusuar tek ajo që ndodhte apo ndodh aktualisht në Kosovë. Kemi një angazhim shumë të fortë, kemi një angazhim direkt, kemi një marrëdhënie që duhet marrë për shembull në raportet që dy vendet kanë në kushtet aktuale. Dhe ne vazhdojmë të punojmë në një mënyrë organike për tema të rëndësishme”, ka thënë ai.