Lajme

Dokumentet zyrtare të Vetëvendosjes / Iu kërkon të tjerëve mbështetje financiare për partinë, por Kurti që mori rrogë qindra-mijëra euro, nuk dha asnjë cent si donacion

10/23/2024 12:26
nga:G C

Gati në çdo proces zgjedhor, Lëvizja Vetëvndosje kërkon zyrtarisht mbështetje financiare të qytetarëve të Republikës së Kosovës, raporton GazetaBlic.

Pjesë e këtyre thirrjeve është bërë çdo herë edhe lideri i saj, Albin Kurti.

Siç mund të shihet në këtë video, Kurti së bashku me deputetët tjerë të partisë Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Glauk Konjufca, nënkryetarja e dytë e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku dhe kryetari Visar Ymeri rendisin arsyet se përse Vetëvendosje duhet mbështetur financiarisht.

VIDEO

Kurti, i cili aktualisht është kryeministër i Kosovës dhe që nga viti 2010 edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka ditur vetëm të kërkojë mbështetje financiare nga qytetarët, por jo që edhe vetë të dhurojë për partinë që e drejton.

Sipas të dhënave të Vetëvendosjes të raportuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të publikuara nga ky institucion për shpenzimet nëntë-mujore (janar – shtator 2024) të partive politike të përfaqësura në Kuvend, bie në sy mungesa e emrit të Kurtit si donator apo si kontributdhënës i Lëvijzes Vetëvendosje.

Në tre-mujorin e parë të vitit 2024 (1 janar – 31 mars), Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar 4,070 euro donacione dhe kontribute në të holla. Glauk Konjufca, Avni Dehari, Adnan Rrustemi, Hajrulla Çeku, Fatmire Kollçaku dhe Gani Krasniqi janë në mesin e emrave që kanë dhuruar para për partinë.

Madje, Gani Krasniqi e Glauk Konjufca nga më shumë se një herë.

As në tre-mujorin e dytë të vitit 2024 (1 prill – 30 qershor) nuk gjendet emri i Kurtit në mesin e donatorëve të partisë së tij. Sipas listës së publikuar nga KQZ, emrat e deputetëve Gani Krasniqi, Glauk Konjufca e Avni Dehari shfaqen më së shpeshti.

Gjatë këtij tre-mujori, Vetëvendosje ka prauar 3,765 euro si donacion dhe kontribute në të holla.

Edhe në tre-mujorin e tretë të vitit 2024 (1 korrik – 30 shtator) lideri i Vetëvendosjes, Kurti nuk ka kontribuar me para për partinë e tij. Vetëm Glauk Konjufca, Avni Dehari e Gani Krasniqi, dëshmohet se vazhdojnë të ndajnë mjete për partinë e tyre. Gjatë këtij tre-mujori, Vetëvendosje ka prauar 3,227 euro si donacion dhe kontribute në të holla.

Në faqen e KQZ-së mund të gjenden të dhënat për kontributet dhe për tre-mujorin e tretë të vitit 2023 (1 korrik – 30 shtator).

Edhe Jahja Kokaj ka dhuruar qindra euro për partinë, por jo edhe lideri i saj, Kurti. Në mesin e 3,819 eurove të pranuara si donacion dhe kontribute, një pjesë e tyre është dhuruar nga Dehari, Konjufca e Krasniqi, si të rregullt që mbështesin partinë e tyre.

Zgjedhjet e fundit për të cilat Vetëvendosje kishte kërkuar mbështetje financiare nga qytetarët, ishin ato të 14 shkurti 2021.

“Me rastin e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe fitores plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne duhet të bëjmë një fushatë perfekte. Për ta arritur këtë, është e nevojshme ndihma juaj. Cilado shumë që keni mundësi, pa ju ngushtuar e pa ju vënë në vështirësi, neve na ndihmon që ta sjellim më pranë kthesën e madhe. Qeveria Kurti II do të jetë kthim i Kosovës kah e mbara, për të gjithë qytetarët e saj”, thuhej në njoftimin e VV-së.