Lajme

A ka AAK-ja vija të kuqe me ndonjë subjekt politik- Deklarohet për ‘Gazeta Blic’, Pal Lekaj!

10/23/2024 11:25
nga:Y I

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka folur në lidhje me bashkëpunimet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Lekaj në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic “ tha se partia që ai përfaqëson nuk ka përmendur ndonjë ‘vijë të kuqe’ ndaj partive të tjera politike në Kosovës.

Por deputeti i AAK-së e cilëson si sfidues një bashkëpunim të mundshëm me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka përmendur publikisht ndonjë “vijë të kuqe” të prerë ndaj partive të tjera politike në Kosovë sa i përket bashkëpunimit pas zgjedhjeve. Megjithatë, AAK ka treguar disa herë qëndrime të forta mbi çështje të caktuara që i ndajnë nga partitë e tjera, veçanërisht në fushat si politika e jashtme, qeverisja dhe dialogu me Serbinë”

“Ne shpesh kemi kritikuar qasjen e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, veçanërisht mbi menaxhimin e qeverisë dhe dialogun me Serbinë, duke i bërë bashkëpunimet e ardhshme sfiduese me këtë parti. Megjithatë, në politikë aleancat shpesh formohen pas zgjedhjeve në varësi të nevojave politike dhe numrave në Kuvend, prandaj edhe vijat e kuqe mund të jenë të negociueshme në rrethana të caktuara” tha Lekaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Nga Partia Demokratike e Kosovës  (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ka deklaruar se me Lëvizjen Vetëvendosje kanë probleme të thella ideologjike.

“Me Lëvizjen Vetëvendosje kemi probleme të thella ideologjike, politike dhe besa edhe të mirëbesimit. Kështu që është hendek i madh” ka deklaruar kryetari i LDK-së, Abdixhiku.

Kategorikisht kundër një bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje është shprehur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“E kam të pamundur me pa rrugë që na bën bashkë me Vetëvendosjen. Kjo është përgjigja ime. Si mund të bëhemi bashkë, si dy parti të cilat kanë qaq shumë dallime, edhe për të kaluarën, mirëpo sidomos për të ardhmen, që ideologjikisht qëndrojmë komplet ndryshe prej njëra tjetrës në temat e rëndësishme, duke përfshirë ekonominë. Unë nuk kam shancë me besu që ne mundemi me u marrë vesh, se s’kemi se si me u marrë vesh. Sepse në qeveri, asnjëherë nuk kemi me hy për hirë të pushtetit. Këtë po dua që t’ua bëjë të qartë. Kemi me hy për hirë që me kry punë për këtë vend”, ka theksuar Krasniqi.

Por të njëjtat deklarime nuk i kanë patur edhe për partitë opozitare duke lënë të hapur opsionin e bashkëpunimit.

/Gazeta Blic/