Lajme

Musliu-Shoshi pas vizitës në Onkologjinë e Fëmijëve: Shteti të sigurojë terapinë, fëmijët të mos mbesin në lëmoshë nga organizata e shoqata

10/22/2024 19:19
nga:G B

Komisioni për të drejta të njeriut, ka vizituar sot Repartin e Onkologjisë së Fëmijëve në Kosovë, që është pjesë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Deputetja nga radhët e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se trajtimi i fëmijëve me kancer në Kosovë, përballet me sfida të mëdha emocionale për fëmijët, familjet dhe stafin mjekësor.

“Fëmijët shpesh përjetojnë frikë, ankth dhe izolim social, për shkak të trajtimeve të vështira dhe periudhave të gjata në spital. Për shkak të trajtimit të nevojshem fëmijët kanë mungesë në kontaktin me miqtë, shkollën dhe rutinën e përditshme! Prandaj, detyrimisht DUHET të sigurohet qasja në mësim e këtyre fëmijëve”, ka shkruar  Musliu-Shoshi pas kësaj vizite në QKUK.

Musliu- Shoshi po ashtu ka thënë se është e nevojshme dhe prioritet që shteti të siguron psikolog dhe terapi të nevojshme e të veçanta për fëmijët dhe të mos mbesin në lëmoshë nga organizata e shoqata për sigurim të terapive.

“Familjet po ashtu përballen me stres të madh emocional dhe financiar, duke përjetuar pasiguri për të ardhmen e fëmijës së tyre dhe mungesë të mbështetjes psikologjike. Ndërkohë, stafi mjekësor përballet me lodhje emocionale dhe frustrim për shkak të kufizimeve në burime dhe infrastrukturë, që shpesh pengojnë ofrimin e kujdesit të nevojshëm. Prandaj, është e nevojshme dhe prioritet që nga shteti të sigurohen psikolog dhe terapi të nevojshme e të veçanta për fëmijët dhe të mos mbesim në lëmoshë nga organizata e shoqata për sigurim të terapive për fëmijët tanë”, ka shkruar Musliu-Shoshi në Facebook.