Lajme

Me kërkesë të mbrojtësit të njërit të akuzuar, anulohet seanca në rastin “Subvencionet 1”

10/22/2024 17:04
nga:Sh R

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Almir Abdurrahmani, avokatit Bekim Kafexholli është anuluar seanca e caktuar të mbaj këtë të martë, në rastin e njohur si “Subvencionet 1”.

Anulimin e seancës e ka konfirmuar zyra e gjyqtarit të rastit, Kujtim Krasniqi, pa dhënë detaje të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e fundit për këtë rast është mbajtur më 21 tetor 2024, ku mbrojtjen e ka dhënë i akuzuari Kushtrim Zogaj.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.