Lajme

Geci për Komunikatën e 59’të: Menjëherë kam shkuar në familjen e Thaçit – krejt Shtabin e kemi pyetur cili e keni shkru

10/22/2024 12:48
nga:N K

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka vazhduar me pyetjet ndaj dëshmitarit Fadil Geci, lidhur me Komunikatën e 59’të.

Geci tha se menjëherë kur është shkruar komunikata ka shkuar tek familja e Hashim Thaçit, tek babai i tij.

“Menjëherë kur është shkru komunikata, unë kam shku në familjen e Hashim Thaçit, tek baba i tij. Edhe 20 vjet nuk është dalë me kërku falje, derisa e pa që nuk ka ku shkon ma andej. Pasojat i kemi vuajt ne si familje, me dy të vrarë…”, tha Geci.

Ai përmendi shkresën zyrtare që kishin bërë si familje, ku tha se kishte shkruar se ishin informuar nga Milaim Zeka.

Ai tha se e kanë pyetur secilin nga Shtabi i UÇK’së se kush e kishte shkruar.

“Komunikatën 59’të, nuk jemi ndalë na, kemi punu na me krejt Shtabin, cilin e kemi zanë kemi bisedu me ta, cili e keni shkru. Unë e kam bë një shkresë zyrtare në emër të familjes në 98’ën që u informuam prej Milaim Zekës që ky person e ka shkruar, ajo tash është e vërtetë, është zyrtare me dokumente”, tha Geci.

Avokati Luka Misetiq e pyeti nëse Milaim Zeka është njeriu i afërt i tyre, e Geci tha se ai është “jarani i Hashim Thaçit”.

“Kurgjë lidhje me mua s’ka Milaim Zeka. As kurrfarë jarani, se kom Milaim Zekën, hiç se është marksist edhe ai. Po, nip e kam, nip i Llaushës është. Por, kurrfarë jarani se kam, unë bile hiq. Ai o jarani i këtyne, i Hashimit dhe i këtyne”, shtoi Geci.

Avokati pastaj e pyeti se “A është e saktë që në deklaratën e dhënë si dëshmitar nuk identifikon asgjë që ka thënë Hashim Thaci, gjë të keqe për ty apo familjen Geci, kështu?”

Geci iu përgjigj duke thënë se “Çka do me kanë me e keqe se me shkru komunikatën 59. Cka ka ma të rëndë, cka ka ma vrastare”.