Lajme

Rizvanolli në Paris: Kosova destinacion tërheqës për investime evropiane

10/19/2024 07:00
nga:Sh R

Në Paris të Francës, për herë të parë është mbajtur Forumi Ekonomik i Kosovës, ku është diskutuar për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës me përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues të kompanive franceze.

Në Forumin Ekonomik kanë marr pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri për Çështje Evropiane në Republikën e Francës, Benjamin Haddad, Ministrja e Ekonomisë së Kosovës,

Artane Rizvanolli, Ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Libun Aliu, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, Drejtori për Partneritet Strategjik dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në “Business France”, Olivier Andretic, ekspertë të fushës të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve në Francë.

Forumin Ekonomik e ka hapur Kryeministri Albin Kurti, i cili veçoi sektorët me më së shumti mundësi për investime të huaja. Ai paraqiti para të pranishmëve potencialin dhe ofertën e Kosovës për investitorë të huaj në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe inovacionit digjital, turizmit, energjisë, prodhimit të lehtë dhe agrikulturës.

“Kjo është më shumë se një ftesë për të investuar në Kosovë. Është ftesë për të qenë pjesë e transformimit tonë dhe ftesë për të rritur e thelluar miqësinë tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë, një rajon më prosperues dhe një të ardhme për të cilën të gjithë mund të krenohemi”, tha Kurti.

Ndërkaq, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh se “me norma të rritjes ekonomike më të larta në rajon, qeverisje të mirë, luftë kundër korrupsionit e informalitetit, e vlera të përbashkëta me kombet e familjes evropiane, Kosova është gjithnjë më tërheqëse për investime nga shtetet evropiane.”

Nga Ministrja Rizvanolli gjithashtu u potencua se sa i përket energjisë, ankandi i parë diellor ka vendosur Kosovën në hartë për investime të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

“Reputacionin të cilin kemi ndërtuar për procese të drejta, transparente e fer, do ta vazhdojmë edhe në proceset e radhës të cilat i kemi paraparë në pakon investive të burimeve të ripërtëritshme (BRE). Kjo pako përfshin kapacitete gjeneruese prej 950MW, në vlerë rreth 1.2 miliardë euro, dhe projektet e radhës të cilat do të lansohen në vijim, janë projektet konkurruese të erës me kapacitet prej 150MW”, shtoi Rizvanolli.