Lajme

Prokuroria Themelore në Pejë mban tryezë për rastet e dhunës në familje

10/18/2024 16:26
nga:Y I

Prokuroria Themelore në Pejë, me mbështetjen e OSBE-së, ka organizuar sit tryezë me temën “Rastet e dhunës në familje dhe trajtimi i personave të paraburgosur me nevoja të shëndetit mendor”, aktivitet ky që kishte për qëllim shqyrtimin e çështjeve të lidhura me dhunën në familje dhe trajtimin e personave me nevoja të shëndetit mendor që janë të paraburgosur.

Me anë të një kumtese për media bëhet e ditur se në ketë tryezë pune, të udhëhequr nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, kontribut në diskutime dhe rekomandime kanë dhanë edhe nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, prokurori Lulzim Sylejmani, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përfaqësuesi i OSBE-së, Mark Lasser dhe zyrtarë të Gjykatës Themelore të Pejës dhe Policisë së Kosovës.

Kryeprokurori Kurmehaj nënvizoi se në fund të kësaj punëtorie do të nxirren konkluzione dhe të njëjtat do t’i dërgohen institucioneve kompetente për trajtim të mëtejshëm.

Ndërkaq, diskutimet e zhvilluara gjatë këtij takimi u fokusuan në zgjidhjen e problemeve të dhunës në familje, me një theks të veçantë në trajtimin e personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.

“Koordinatorja e dhunës në familje në Prokurorinë Themelore në Pejë, Arlinda Nallbani Gacaferri, informoi të pranishmit se deri më tani janë pranuar 259 kallëzime penale për veprën penale “Dhuna në familje”, prej të cilave janë ngritur 208 aktakuza, ndërsa janë kërkuar 38 masa paraburgimi dhe 16 ekzaminime psikiatrike për të dyshuarit”, thuhet tutje në njoftim.

Konkluzionet e arritura gjatë tryezës :

Rritja e kapaciteteve njerëzore, financiare dhe infrastrukturore për strehimin dhe trajtimin e personave të paraburgosur me nevoja të shëndetit mendor në nivel qendror dhe lokal;Realizimi i premtimit të Komunës së Pejës, për ndarjen e parcelës së tokës për ndërtimin e qendrës për trajtimin dhe rehabilitimin e personave me nevoja të shëndetit mendor;Rritja e bashkëpunimit ndër-institucional për rastet e dhunës në familje dhe të personave të paraburgosur me nevoja të shëndetit mendor.