Lajme

Haradinaj udhëton drejt SHBA-së, paralajmëron takime me kongresmenë dhe zyrtarë amerikanë

10/18/2024 10:49
nga:Sh R

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka udhëtuar për vizitë zyrtare për ShBA, i shoqëruar nga shefi i Grupit Parlamentar, deputeti, Besnik Tahiri, lajmin për GazetaBlic, e ka bërë të ditur zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.

Vizitën e tij Haradinaj do ta fillojë në Chicago, ku do të qëndrojë me ftesë të Universitetit të Chicagos -“Instituti Pearson”, në konferencën e tyre globale, ku do të flasë për zhvillimet në Kosovë dhe rrugëtimin e Kosovës që nga liria e deri më sot. Po ashtu, Haradinaj në Chicago do të takojë një pjesë të komunitetit shqiptar.

Vizitën e tij në ShBA ai do ta vazhdojë në New York ku do të pritet nga Federata Panshqiptare “Vatra” dhe do të takojë komunitetin shqiptaro-amerikan. Gjatë qëndrimit në New York, z. Haradinaj do të takojë kongresmen dhe zyrtarë tjerë të shtetit.

Vizitën zyrtare z. Haradinaj do ta përmbyll në Washington ku do të zhvillojë takime zyrtare në tri institucionet kryesore: Pentagon, Departmentin e Shtetit Amerikan dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.