Lajme

Mbi 850 familje me asistencë sociale në Prishtinë

10/18/2024 09:05
nga:N K

Shkollën e la në klasën e 9-të, e që nga ajo kohë, 19 vjeçari nga Podujeva vjen në kryeqytet për të punuar si shitës në rrugë, ani pse parat e fituara janë të pamjaftueshme për të.

“…për ditë vij në Prishtinë me punu, shes sakëza. Nuk fitoj edhe aq shumë ama po duhet…”

17 tetori njihet si dita ndërkombëtare kundër varfërisë. Ndërkaq për shkallën e varfërisë në Kosovë të dhëna zyrtare në ASK nuk janë përditësuar që nga viti 2017.

Sipas Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, mbi 850 familje të komunës së Prishtinës, marrin asistencë sociale.

“Duke iu referuar raportit të muajit shtator, 859 familje në Komunën e Prishtinës marrin asistencë sociale. Ndërkaq çdo muaj paraqiten deri në 60 aplikimeve të reja për përfitim të asistencës sociale. Përfitimi mujor në të holla është i ndryshëm, varësisht anëtareve të familjes duke filluar nga 70 euro, dhe shtuar 20 dhe 10 euro të tjera varësisht numrit të anëtarëve të familjes.”

Ekonomia në vend ka stagnuar deklaron, profesori i ekonomisë Medain Hashani për rtv21.

Sipas tij, pagat e ulëta dhe çmimet e larta, kanë thelluar varfërinë në mesin e qytetarëve.

Sipas sociologes Flaka Ymeri, duhet të tregohet kujdes në hartimin e politikave shtetërore për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, pasi siç thekson ajo, varfëria sjellë problem edhe në sjelljet sociale.
“…shkalla e varfërisë ndikon në mirëqenie e sidomos në Kosovë. Kjo bënë që të ndikojë në shëndetin mendor tek secili individ, duke ja vështiruar jetën në aspektin social…”, tha Ymeri.

Dita ndërkombëtare kundër varfërisë shënohet që nga viti 1987, kur më shumë se 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë ekstreme, dhunës dhe urisë.