Lajme

28 të vrarë gjatë një sulmi izraelit në Gazë

10/17/2024 18:53
nga:Y I

Një sulm ajror izraelit ndaj një shkolle, të shndërruar në vend ku strehohen të zhvendosurit në Gazë, ka lënë të vrarë të paktën 28 persona, përfshirë pesë fëmijë, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës.

Ushtria izraelite tha se sulmi goditi dhjetëra pjesëtarë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe militantë të Xhihadit Islamik, të cilët, sipas ushtrisë, ishin mbledhur në këtë shkollë.

Sulmi goditi shkollën Abu Hussein në Xhabalia, një kamp refugjatësh në veri të Gazës ku Izraeli po kryen një operacion të madh ajror dhe tokësor për më shumë se një javë.

Kreu i njësisë së emergjencave të Ministrisë së Shëndetësisë për veriun e Gazës, Fares Abu Hamza, konfirmoi numrin e viktimave. Autoritetet thanë se pothuajse 100 të tjerë janë plagosur.

“Shumë gra dhe fëmijë janë në gjendje kritike”, tha ai.

Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar një qendër komanduese, e cila, sipas saj, operohej nga grupet militante brenda shkollës, duke ofruar disa emra personash që tha se ishin militantë të vrarë gjatë sulmit. Emrat e prezantuar nuk kanë mundur të verifikohen menjëherë.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë./rel/