Lajme

Bedri Hamza vizitë zyrtare në Francë, pritet nga zyrtarë të Presidencës dhe MPJ-së franceze

10/17/2024 12:47
nga:N K

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, pas vizitës në Shtetet e Bashluara të Amerikës, ka filluar një vizitë zyrtare edhe në Francë.

Në Paris, Hamza është pritur në takime nga përfaqësues të lartë të Presidencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.

Hamza në profilin e tij në Twitter ka njoftuar për takime të rëndësishme me këshilltarë të Presientit të Francës, Emmanuel Macron, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Kisha takime shumë të mira me zyrtarë në Paris dhe theksova rëndësinë jetike të mbështetjes historike dhe të vazhdueshme të Francës në proceset integruese euroatlantike për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Hamza.

Në këtë vizitë në Francë, Hamza ka shkruar se ka identifikuar disa fusha si ekonomia e mbrojtja, ku marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës mund të thellohen edhe më tej.

“Janë disa fusha si ekonomia, mbrojtja etj ku ne mund të forcojmë këtë bashkëpunim”, ka shtuar ai.

Gjatë qëndrimit në Paris, Hamza në takime me përfaqësues francez i ka falënderuar ata për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës.

“Falënderoj z. Bertrand Buchëalter, këshilltar i Presidentit, Ambasadorin René Troccaz, të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, znj. Marguerite Costa de Beauregard, Drejtoreshë për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës për angazhimin e tyre për progresin në Ballkan dhe Kosovë”, ka shkruar Hamza.

Në muajin gusht, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, kishte qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje kishte zhvilluar takime me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe institucioneve të tjera.