Lajme

Pacolli i reagon zëdhënësit të Qeverisë: Nga biseda me Radojçiqin në prani të Kurtit e Osmanit sigurova votën e Adem Hodzës

10/17/2024 08:12
nga:G B

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka reaguar zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, derisa i ka thënë se është e vrazhdë që të përhapë të pavërteta lidhur me bisedat e Kusari-Lilës me Simiqin, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se para se të flasë duhet t’i pyes Kryeministrin e Presidenten dhe ata do t’i tregojnë se biseda është bërë me kërkesë të tyre.

“Ata do t’ju tregojnë gjithashtu për rrethanat e telefonatës, që u bë në praninë e tyre, nga zyra private e Kryetares së atëhershme të Kuvendit, në orët e para të ditës kur ndodhi votimi për Presidenten. Si rezultat i kësaj telefonate, u sigurua prezenca e deputetit Adem Hodža, ne momentin e votimit të presidentes”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Postimi i tij i plotë:

I nderuar z. Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë,

Ju keni deklaruar se “nuk është e vërtetë që ka ndodhur telefonata e famshme me nënkryetarin e Listës Serbe, ne prezencen e Kryeministrit” për sigurimin e një prezence që mundësoi zgjedhjen e Presidentes.

Është e vrazhdë, si zëdhënës i qeverisë, të përhapësh të pavërteta!

Ju lutem, para se të jepni deklarata të pavërteta, pyesni, së pari Kryeministrin dhe Presidenten. Ata do t’ju tregojnë se telefonata është bërë me kërkesën e tyre, për të siguruar prezencën e një deputeti shtesë.

Unë nuk kam pasur nevojë për vota, dhe do të ishte absurde që ta bëja këtë telefonatë pa kërkesën e tyre, për te cilët ata kishin nevojë!

Ata do t’ju tregojnë gjithashtu për rrethanat e telefonatës, që u bë në praninë e tyre, nga zyra private e Kryetares së atëhershme të Kuvendit, në orët e para të ditës kur ndodhi votimi për Presidenten.

Si rezultat i kësaj telefonate, u sigurua prezenca e deputetit Adem Hodža, ne momentin e votimit te presidentes.

Zbardhja publike e këtij rasti nuk ka të bëjë me ndonjë skenar të caktuar. Dje, u pyeta në mënyrë eksplicite nga gazetari dhe nuk kam mundur të devijoj, të mos them të vërtetën!

 

Pacolli befason: Në prani të Kurtit e Osmanit kam fol me Radojçiqin në telefon, për një votë për presidenten