Lajme

Pacolli: Opozita po thërret seanca për të shpifur

10/16/2024 23:50
nga:G C

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë seancat e thirrura të opozitës të cilat ata i kanë bojkotuar nuk kanë asnjë interes publik.

Sipas saj këto seanca janë thirrur nga opozita për të bërë shpifje, që siç ka thënë ajo është e vetmja kauzë e opozitës.

“Këto seanca janë bërë për të shpifur gjëra të pa qena, kështu që nuk janë seanca që duhet të shkojmë dhe të diskutojmë. Nuk është në interes publik që të shkojmë të dëgjojmë shpifje të opozitës. Kjo po tregon që opozita është pa kauzë që t’i bindin qytetarët që që t’i votojnë ata dhe të vetmin mjet e kanë shpifjen”, ka thënë Pacolli në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Ajo ka thënë se për bisedat ndërmjet Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi po merret Prokuroria dhe pas vendimit nga institucionet e drejtësisë mund të bisedohet.

Pacolli poashtu ka thënë se edhe seanca për ushqimin e FSK-së ka qenë e panevojshme dhe se kur opozita po thotë që s’ka ushqim nuk qëndron pasi ushtarët po ushqehen tri herë në ditë.

Pacolli ka thënë se “opozitës nuk i intereson nëse ushtria ka ushqim, por që financuesit e saj kanë mbet pa tenderë”