Lajme

‘Kolonat e vazhdueshme në kryeqytet’, asambleisti i VV-së: Prishtina nuk ka qenë asnjëherë më e bllokuar se tani!

10/17/2024 17:16
nga:N K

Asambleisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Faton Zeka, në lidhje me kolonat e vazhdueshme në kryeqytet shprehet se Prishtina si asnjëherë më parë nuk ka qenë më e bllokuar se në këtë kohë.

Ai në një intervistë dhënë për GazetaBlic, thotë se me bllokimin e rrugës ‘George Bush’, është prodhuar një kaos urbanistik.

“Prishtina nuk ka qenë asnjëherë më e bllokuar se tani. Në njërën anë kemi një stërngarkesë që gravitojnë në Prishtinë gjatë ditëve të javës, e në anën tjetër kemi eksperimente të kryetarit dhe të komunës për bllokim të rrugëve të cilat në një farë forme e kanë ngufatur trafikun në Prishtinë. Tendenca për të bllokuar rrugë dhe për të ndërtuar sheshe vlen të përshëndeten nëse do të kishte rrugë alternative të qarkullimit të veturave, por në këtë mënyrë siç është bërë është bllokuar rruga kryesore “George Bush”, ka prodhuar një kaos urbanistik në të cilin në Prishtinë nuk ka orar të caktuar kur ka kolona”, potencoi ai.

Kështu, duke rikujtuar premtimin e të parit të komunës, Përparim Rama, ‘Prishtina-7 minuta’, që sipas tij nuk do të përjetohet as në të ardhmen e afërt.

“D.m.th duhet me gjetë orar të caktuar kur nuk ka kolona e ato janë vetëm orët e vona të mbramjes sepse tërë ditën ka kolona nëpër Prishtinë dhe nuk ka mundësi me mbërri për 50 minuta prej destinacionit në destinacion e hiç më pak me u realizu premtimi i kryetarit, Prishtina 7 minuta. Por, ne nuk e kemi përjetuar akoma atë dhe nuk besoj që do ta përjetojmë të ardhmën e afërm”, tha Zeka.

Po ashtu, sipas asambleistit të VV-së, kryetari Rama ka provuar të bëjë disa hapësira për këmbësor, por që të njejtat kanë shkaktuar efekt negativ duke krijuar kolona

“Prishtina ka pasë një plan të mobilitetit të ndërtuar në mandatin e kaluar. Nëse ish inspektu ai plan i mobilitetit ku ka pasur të përfshihen edhe biçikletat edhe gjithçka tjetër besoj që Prishtina do ta kishte zgjidhjen më të mirë sesa e ka tani. Por, secili kryetar vjen me politika të veta, edhe kryetari ka provuar me i kriju disa hapësira për këmbësor, por që kanë shkaktuar efekt negativ tek kolonat e veturave dhe mendojmë që nuk ka pasur sukses sepse ashtu kanë përfunduar sheshet që i ka premtu. P.sh sheshi George Bush hale nuk është as shesh as rrugë për këtë arsyeje mendoj që u kriju i tërë ky kaos  urbanistik”, vlerësoi ai.

Ndryshe, Zeka thekson se së pari do të duhej të ndërtoheshin parkingjet në fillim të kryeqytetit, si dhe të bëhej integrimi i Trafikut Urban, i cili këtë trafik e cilëson  se është në gjendje të mjerueshme.

“Së pari, do të duhej të ndërtoheshin parkingjet të cilat ju mundësojnë njërëzve që në hyrje të Prishtinës ti parkonin veturat dhe të bëhej një integrim i Trafikut Urban e të cilin e kemi akoma në gjendje të mjerueshme sepse akoma nuk kanë ardh 30 autobusët e rinjë të premtuar që do të vijnë që në vitin e parë të mandatit, dhe akoma nuk i kemi ata autobusë. Rrjedhimisht, linjat që kanë qenë janë edhe tani. Nuk ka një integrim të caktuar të trafikut urban që me mujt me ia mundësu qytetarëve që vijnë në Prishtinë dhe punojnë që ta lëjnë veturën jashtë Prishtinës dhe të hypin në autobusë dhe të shkojnë në punat e veta”, përfundoi Zeka.

/GazetaBlic/