Lajme

KFOR-i për vdekjen e komandantit të tyre të parë: Trashëgimia e Jacksonit vazhdon të jetojë në Kosovë

10/16/2024 13:38
nga:Sh R

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka reaguar për vdekjen e gjeneralit dhe komandantit të parë të KFOR-it, Mike Jackson, i cili vdiq dje në moshën 80-vjeçare.

Barduani tha se Mike udhëhoqi forcat e NATO-s në Kosovë nga qershori deri në tetor të vitit 1999, një periudhë të cilën ai e quajti të shënuar nga sfidat intensive dhe arritjet historike.

“Udhëheqja e tij vendimtare gjatë atyre muajve të parë kritikë të misionit të KFOR-it i dha atij Urdhrin e Shërbimit të Shquar (DSO) dhe respektin e ushtarëve dhe liderëve botërorë”.

“I njohur për vendosmërinë e tij të fortë dhe sjelljen e qetë, ai ishte një njeri me guxim, parime dhe paqe. Gjatë gjithë karrierës së tij të shquar, Sir Majk ishte shumë më tepër se një figurë ushtarake; ai ishte ushtar i një ushtari. Ai ishte një frymëzim për shumë njerëz, përfshirë ata që shërbyen nën të”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Barduani tha Jaskson ishte udhëheqës që kujdesej për trupat e tij, teksa shtoi se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë në Kosovë.

“Trashëgimia e Sir Mike vazhdon të jetojë në Kosovë, ku kontributet e tij hodhën bazat për përpjekjet e vazhdueshme të NATO-s në mbështetje të paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet më tej në reagim.