I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka qëndruar për një vizitë dy-ditore në Kosovë.
Kasanof zhvilloi takime me krerët e shtetit, opozitën, Listën Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në lidhje me vizitën e Kasanof në Kosovë ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Haliti tha se çdo vizitë e përfaqësuesve zyrtarë të SHBA është frytëdhënëse dhe shumë e rëndësishëme për interesat e pritjet që kanë qytetarët e Kosovës.
Ai tha se mesazhi është i njëjtë, domosdoshmëria e zbatimit të dyanëshem të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel e zotimet e bëra në Ohër.
“Çdo vizitë e përfaqësuesve zyrtarë të SHBA, është frytëdhënës dhe shumë i rëndësishëm për interesat e pritjet që kanë qytetarët e Kosovës. Besoj që mesazhi është i njejti me ato që i kanë deklaruar të gjithë përfaqësuesit që kanë sjellë mesazhe për Qverinë e popullin e Kosovës si dhe për Qeverinë e popullin e Serbisë. Domosdoshmëria e zbatimit të dyanëshem të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel e zotimet e bëra në Ohër”
“Në kushtet kur Kosova e SHBA, janë në prag të organizimit të zgjedhjeve, besoj që njëri nga mesazhet për të dyja palët ka qenë që “ SHBA nuk do të ndryshoj qëndrimet e saja ndaj popollit të Kosovës” do i mbështesë interesat e Kosovës dhe integrimin e sajë në BE dhe institucionet tjera duke përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Ky rrugëtim nuk është i lehtë dhe kërkon sakrifica të mëdha, për ti kryer detyrat e shtëpisë që ka obligim Kosova” deklaroi Haliti për “Gazeta Blic”.
Kasanof theksoi se Shtetet e Bashkuara ‘mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik’.
“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.
Ai tha se SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij.
/Gazeta Blic/
Vizita dy-ditore e Kasanof- Këto janë mesazhet që dha për Kosovën!


