Lajme

Shqiptarët i çojnë më shumë paratë në ushqime se evropianët

10/10/2024 15:19
nga:G B

Në fakt, që shqiptarët nuk harxhojnë para për aktivitete kulturore, kjo nuk ka nevojë për asnjë studim të posaçëm, por shpesh ndodh që të mos investojnë në zhvillimin e vetes jo vetëm sepse nuk kanë, por sepse kanë interesa fare bazike, siç është ushqimi! Sigurisht, pjesa më e madhe e popullsisë nuk mund të shpenzojë para përtej nevojave ushqimore për shkak të varfërisë.

“Scan Intel” ka kryer një analizë, duke krahasuar strukturën e shpenzimeve familjare në Bashkimin Evropian dhe Shqipëri sipas qëllimit të konsumit referuar kryqëzimit të të dhënave të “Institutit të Statistikave” dhe të “Agjencisë Evropiane të Statistikave”.

Sipas tyre, familjet shqiptare mbajnë rekord në Evropë sa i përket peshës që zënë ushqimet dhe pijet jo alkoolike në shpenzimet e tyre, por janë të fundit për shpenzimet në argëtim dhe kulturë. Referuar shifrave më të fundit të publikuara nga institucionet përkatëse, familjet shqiptare shpenzojnë shumë herë më shumë për ushqime se ato evropiane.

Në Shqipëri, rezulton se ky grup zë 39.6% të peshës gjithsej. Nëse do të shihnim të dhënat për Bashkimin Evropian, grupi “Ushqim dhe pije jo-alkoolike” zë afërsisht rreth 14% të shpenzimeve gjithsej.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është diferenca mes shpenzimeve për banesën, ujin dhe energjinë në Shqipëri dhe Evropë. Pesha që zë ky grup në shpenzimet e familjeve shqiptare është 9.7%, ndërkohë mesatarja e Bashkimit Evropian llogaritet në përafërsisht 24%.

Pra, mund të themi se familjet evropiane shpenzojnë me shumë për banesën, qiranë apo ujin dhe energjinë elektrike. Nga ana tjetër, duket se shqiptarët shpenzojnë shumë herë më pak se evropianët në argëtim dhe kulturë. Vitet e fundit kjo strukturë e shpenzimeve duket se nuk ka ndryshuar shumë mes grupeve, por ajo që vihet re, sidomos në vendet e Evropës, është rritja  që kanë pasur shpenzimet për restorante dhe hotele./Living.al