Lajme

Rritja e pensioneve/ Deputeti i PDK-së: Përpjekje e dëshpëruar e Kurtit për ta rregulluar lidhjen e rrënuar me pensionistët

10/07/2024 20:55
nga:G B

Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim për rritjen e pensioneve prej 20 për qind.

Kjo rritje është kritikuar nga Shoqata e Pensionistëve të Kosovës, opozita e shoqëria civile.

Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ky është mashtrimi i radhës i Qeverisë.

“Ky është mashtrimi i radhës për të mbuluar keqqeverisjen katërvjeçare të cilës i vie era pleh, ndërsa këta po mundohen ta parfumosin plehun me këtë rritje 20%, me shpresë që nuk i vie era keqqeverisjes katërvjeçare. Është një lloj justifikimi për vitet e premtimeve të thyera”, thotë ai.

Sipas deputetit, përkushtimi i qeverisë nuk matet me dhurata të mëdha në fund të mandatit.

“Ky mund të duket në pamje të parë një gjest kujdesi, por përkushtimi i qeverisë nuk matet me dhurata të mëdha në fund, por me veprime të qëndrueshme përgjatë rrugës katërvjeçare”, vlerëson Kastrati për Gazeta Blic.

Deputeti përmend mos reformën në skema sociale nga ana e Qeverisë.

“Kjo qeveri s’ka ndërmarrë asnjë reformë efektive në skema sociale, gjatë kësaj qeverisje ka vazhduar përkeqësimi i standardit të jetesës për pensionistët dhe rritja e pensioneve në prag të zgjedhjeve është vetëm një taktikë populiste, që synon të tërheqë votuesit përmes përfitimeve afatshkurtra, pa adresuar rrënjësisht situatën e rënduar ekonomike dhe rritjen e çmimeve gjatë mandatit katërvjeçar”, potencon ai.

Kastrati e quan përpjekje të dëshpëruar të Kurtit rritjen e pensioneve, teksa thotë se kështu synon ta rregullojë lidhjen e rrënuar me pensionistët.

“Kjo është përpjekje e dëshpëruar e Kurtit për me ndreq një lidhje të rrënuar me pensionistin duke dhënë një “unazë diamanti” pak kohë para divorcit. Është përpjekje për të maskuar faktin që gjatë katër viteve ke qenë larg përgjegjësive në raport me pensionistët”, shton tutje deputeti.

Sipas tij, rritja e pensioneve është dashur të bëhet për 35 për qind së paku.

“Për shkak të rritjes enorme të çmimeve gjatë këtyre katër viteve dhe për me u rikthy në standardin e para katër viteve për pensionistët, atëherë pensionet sot është dashur të rriten së paku 35%. Ndërsa, për ta kaluar atë standard të para katër viteve është dashur të rriten mbi 35%”, deklaron deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati./Gazeta Blic/

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve kritikon Qeverinë: Befasi e pakëndshme – mënyra më banale e rritjes së pensioneve para zgjedhjeve

LAJMI I FUNDIT: Rriten për 20 për qind një pjesë e pensioneve

Haradinaj: Rritja e pensioneve sot nga Qeveria në ikje është mashtrim

Rritja e pensioneve 20%, Bajrami: Tentativë me ble vota, rritja e çmimeve gjatë qeverisjes Kurti është 22%