Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se a ka filluar Qeveria t’i përdor fondet publike për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, derisa ka komentuar vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve për 20 për qind, Kryeziu ka thënë se vendimi është veprim politik për votat e pensionistëve.
Ai ka shtuar kjo përpjekje e cenon garën e barabartë zgjedhore, etikën qeverisëse, llogaridhënien dhe transparencën.
Postimi i tij i plotë:
A ka filluar Qeveria të përdorë fondet publike për të ndikuar rezultatin zgjedhor?
Rritja e pensioneve me 20% vetëm tre muaj para fushatës zgjedhore është një veprim i qartë politik për të tërhequr votat e një grupi të rëndësishëm siç janë pensionistët. Përpjekja për të fituar vota përmes shpërndarjes së fondeve publike në prag të zgjedhjeve e cenon garën e barabartë zgjedhore, etikën qeverisëse, llogaridhënien dhe transparencën.
Me këtë qasje, kjo mund të jetë vetëm hapi i parë i qeverisë për shpërdorimin e kuletës shtetërore, pa planifikim buxhetor dhe me synim përfitimin e votave.


