Lajme

Profesori amerikan i jep disa ide ShBA-së, “për ta korrigjuar dështimin diplomatik në Ballkan”

10/06/2024 08:51
nga:G C

Profesori amerikan në universitetin John Hopkins, Daniel Serwer, ka ndarë disa ide për ShBA-në për ato që ai i cilëson si gabime që i kanë bërë në rajonin e Ballkanit gjatë tri viteve mandat të presidentit Joe Biden.

Ai këtë e bëri përmes një postimi në platformën “Peacefare”.

“Jemi duke hyrë në fazën përfundimtare para zgjedhjeve në ShBA. Kjo do të thotë periudhë e varfër për pjesët e botës me prioritet më të ulët si Ballkani deri më 20 janar. As Kamala Harrisi dhe as Donald Trumpi nuk kanë gjasa të thonë asgjë për rajonin përpara 5 nëntorit. Edhe pas Ditës së Inaugurimit do të kalojë pak kohë përpara datës kur administrata fokusohet në Ballkan”, shkroi Serwer.

Ai tha se pikëpamjet e Harrisit për Ballkanin janë të panjohura ndërsa Trumpi u përpoq ta ndante Kosovën.

“Por ajo (Harris) ka kaluar karrierë duke ndjekur kriminelët dhe duke mbrojtur të drejtat e barabarta. Kjo me gjasë ju tregon diçka për qëndrimin e saj ndaj korrupsionit dhe etnonacionalizmit. Trumpi është supremacist i bardhë i korruptuar që u përpoq të ndante Kosovën ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë. Nëse zgjidhet, ai padyshim që do ta fuqizojë Ric Grenellin për të provuar sërish ndarjen në Kosovë dhe Bosnje. Serbia ka ndikim mbi Trumpin. Jared Kushner (dhëndri i Trumpit) ka kërkuar mundësi investimi atje”, shkroi Serwer.

Profesori tutje tha se njerëzit në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë në këtë “periudhë të varfër” duhet të kërkojnë të korrigjojnë gabimet që ai thotë se i kanë bërë në tre vitet e fundit, të cilat sipas tij kanë prodhuar kryesisht dështim diplomatik në Ballkan.

“Administrata Biden gabimisht u fokusua në krijimin e një Asociacioni statutor të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Në Bosnje, me të drejtë u përpoq të çfuqizonte politikanët etnonacionalistë, por ia doli kryesisht me boshnjakët. Këto prioritete dënuan politikat e Bidenit në Ballkan me humbje strategjike. Ata gjithashtu prishën marrëdhëniet me kosovarët dhe boshnjakët, miqtë më të mirë të Amerikës në rajon”, u shpreh Serwer.

Ai i dha disa ide “për ta korrigjuar kursin”, ndërsa supozoi që Harrisi do të dalë fitimtare në zgjedhje.

Serwer thotë se këto ide të tij synojnë të zvogëlojnë ndikimin e nacionalizmit etnik, ndërsa shtoi se gjithashtu do të rrisnin funksionalitetin e qeverisjes në Kosovën siç e quan ai ende të brishtë si dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Idetë e Serwerit për ShBA-në:

Konsultohuni me kryeministrin e Kosovës Kurti për plan të përbashkët për të vendosur pa dyshim sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij. Kjo përfshin dhënien fund të frikësimit nga Beogradi për serbët që i bashkohen institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe të ketë njohje më të gjerë ndërkombëtare.

Miratimi si qëndrim zyrtar i ShBA-së për mbështetjen e kushtëzuar për një Asociacion joqeveritar të komunave me shumicë serbe. Vetë komunat duhet ta formojnë këtë Asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kushtet duhet të përfshijnë përmbushjen e obligimeve të Beogradit sipas marrëveshjes në të cilën Prishtina është pajtuar me Asociacionin.Thuani Beogradit publikisht se duhet të japë llogari për keqbërjen e qeverisë serbe të vitit të kaluar.

Kjo përfshin kidnapimin e policisë së Kosovës, trazirat kundër KFOR-it dhe komplotin terrorist të Banjskës.Ndaloni fjalët e këqija ndaj ambientalistëve serbë që kundërshtojnë fabrikën e litiumit të Rio Tinto.

Filloni të kritikoni publikisht korrupsionin dhe autokracinë në rritje në Beograd.Përfundimi i ndërhyrjes së Përfaqësuesit të Lartë të Bosnjës për të ndryshuar vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rastin Kovaçeviq.

Vendimi i GJEDNJ premton hap të madh në reduktimin e kontrollit nacionalist etnik të institucioneve shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë.Ngrini akuza penale në ShBA kundër avokatëve serbë dhe kroatë (Milorad Dodik dhe Dragan Çoviq) për ndarjen etnonacionale në Bosnje.